Protesta e nacionalistëve serb në Serbi, është një fillim simbolik i rrënimit të kultit të Vladimir Putinit në Serbi dhe një kthesë e qartë e politikës së jashtme të Serbisë drejtë Bashkimit Evropian, thuhet në analizën e organizatës jo-qeveritare në Serbi, Demostat.
Kulti i presidentit rus, shkruan më tej autorja e kësaj analize, Ivana Petronijeviç Terziç, do të dekonspirohet nga ai që e ndërtoi me kujdese për një dekadë, duke e përdorur atë për të përmirësuar imazhin e tij – presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
“Mjetet që do të përdoren për të shkatërruar mitin e Vladimir Putin’it janë të njëjtat që u përdorën për ta krijuar atë”, thuhet në analizë.
Një kontribut të rëndësishëm në rënien e mbështetjes për Rusinë dhe Putinin tashmë japin deklaratat e zyrtarëve rusë, të cilat ekspozojnë gjithnjë e më shumë interesin real të Rusisë në Ballkan, kjo sipas autores së analizës konfirmohet nga gjetjet e fokus grupeve të organizuara në Demostat.
Disa qindra anëtarë të organizatave të krahut të djathë u mblodhën të mërkurën, në Ditën Kombëtare të Serbisë, përpara monumentit të Carit rus Nikolla II, për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj nënshkrimit të planit franko-gjerman, thuhet më tej në analizë.
Të tubuarit mbanin pankartat “Jo dorëzim”, “Kushdo që tradhton Kosovën, tradhton Rusinë”, duke dërguar kështu mesazhe kërcënuese për këdo që nënshkruan marrëveshjen franko-gjermane.
Në po atë natë, argumenton më tej Terziç, Vuçiç u takua me institucionet kryesore të sigurisë në Serbi dhe më pas iu drejtua qytetarëve duke thënë se “nuk e di nëse demonstruesit ishin pro-rusë, por e di se ata janë anti-serbë, sepse po punojnë kundër popullit të tyre”.
Ai po ashtu tha se nuk do të lejojë asnjë banditë dhe ekstremistë që të kërcënojë rendin kushtetues të Serbisë dhe se të njëjtit, sipas tij, mbështeteshin nga katër parti parlamentare.
Sipas analizës Vuçiç do të përdorë këtë ngjarje si fillim të rrënimit të mitit për Rusinë dhe Putinin.
Vuçiç të mërkurën në mbrëmje nuk ka thënë se rusët kanë qenë të përfshirë në organizimin e ngjarjes, por ka deklaruar se e di që ka mbështetje në para.
Analiza më tej vëren se ani pse zyrtarët serbë nuk po e drejtojnë gishtin kah Rusia për protestën në fjalë, shumë nga analistë, gazetarë të mediave pro-qeveritare të cilët kishin edhe një narrativë të fortë pro-rusë kanë filluar të ndryshojnë qëndrim ngadalë.
Në mediat pro-qeveritare, bënë të ditur analiza, është lënë hapësirë e gjerë për mundësinë që Rusia është përfshirë në protestë.
Deklarata e Zëdhënëses së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, se do të ishte e dëmshme për Serbinë që të zgjidhte perëndimin në vend të Moskës, sipas mediave pro-pushtetit në Serbi, po shihet si ndërhyrje në punët e brendshme të Serbisë.
Analiza e Demostat ndër të tjera shkruan se ndryshimi i narratives së mediave pro-pushtetit në Serbi karshi Rusisë dëshmon se tashmë aparati i propagandës së qeverisë është aktivizuar dhe tani mund të pritet një rënie graduale e mbështetjes për Vladimir Putinin dhe agresionin e Rusisë në Ukrainë.
Si arrihet kjo?
Opinioni publik krijohet me ndihmën e imazheve dominuese në media, njerëzit i formojnë pikëpamjet e tyre sipas agjendave shumë të qarta propagandistike politiko-mdeiale.
Nuk është i rëndësishëm vetëm informacioni që tregtohet, por edhe mënyra në të cilën ai interpretohet dhe vlerësohet, sepse njerëzit miratojnë komentet dhe vlerësimet që janë dominuese.
Në ditët e sotme, të gjitha tregimet mund të ndryshohen lehtësisht, thuhet më tej në analizën e Demostat.
Një kontribut të rëndësishëm në rënien e mbështetjes për Rusinë dhe Putinin, sipas analizës, japin deklaratat e zyrtarëve rusë, në të cilat po demaskohet gjithnjë e më shumë interesi real i Rusisë në Ballkan, siç është mesazhi i lartpërmendur nga Maria Zakharova.
Kjo konfirmohet nga gjetjet e fokus grupeve të Demostat.
Deri tani, tregon analiza, numri më i madh i pjesëmarrësve të grupeve të fokusit ishin të ndjeshëm ndaj referencës së Putinit për precedentin e Kosovës si një justifikim për agresionin rus kundër Ukrainës.
“Ka gjithnjë e më pak iluzione për Rusinë dhe kjo prirje do të vazhdojë me vazhdimin e luftës në Ukrainë”.