Sekretari për Digjitalizimin në PS, Etjen Xhafaj ka bërë me dije se do të ngrejë padi kundër atyre që kanë publikuar listën e përdoruesve të “Aktivist1t”. Ai tha se ky aplikacion është një mënyrë komunikimi, jo presioni ndaj administratës. Në një dalje për mediat, Xhafaj tha se aplikacioni është i hapur për të gjithë dhe në të kërkohen vetëm 2 të dhëna emri dhe zona nga ku logohen, jo profesioni apo rroga, duke theksuar se çdo përdorues është aty me vullnetin e lirë.
“Nuk ka asgjë për të fshehur, aplikacioni është i hapur për të gjithë. Nuk kontrollohet asnjë njeri që hyn dhe del, është në përputhje me ligjet e Shqipërisë, njerëzit mund të regjistrohen edhe me një pseudonim, s’ka asgjë që ne kontrollojmë. Njerëzit futen me vullnetin e tyre. Kontrolli i vetëm është që të mos ketë fjalë fyese. Pikët janë për të vlerësuar, jo dënues. Ekspozimi i të dhënave nuk ka dalë nga aplikacioni. Nuk kërkohet në aplikacion profesioni apo vendi i punës. Nuk e di si sekretar për digjitalizimin, nuk e di se çfarë vendi pune kanë njerëzit në aplikacion. Manipulimi i të dhënave duke publikuar emrin e aktivistit do të ndiqet penalisht, është sulmi opozitës dhe më vjen mirë që kanë zgjedhur rrugë institucionale, se nuk kemi asgjë për të fshehur”, tha ai.
Në këtë aplikacion, një aktivist vlerësohet me pikë. Për këtë Xhafaj zbuloi se çfarë shpërblimi përfiton një aktivist që ka qenë shumë aktiv.
“Vlerësimi ka qenë takimi me drejtues të drejtuesve politik. Nga një pjesë të veprimeve ka një sistem pikëzimi, shikojmë sa aktiv janë njerëzit, lista është publike. Ata që janë përdoruesit, shihen kush janë më të mirit, ulemi e takojmë dhe synojmë si t’i angazhojmë më tepët”, shtoi Xhafaj.
Ndalur te akuzat e opozitës, se ky aplikacion është bërë për të monitoruar administratën, Xhafaj tha se “kanë akuza se çfarë do bënin ata po të ishin në vendin e tyre”.
“Janë mbështetësit tani, askush nuk është detyruar njeri apo ankimuar pse nuk ka qenë në Aktivist. Aplikacioni është i brenduar, kur e hap thua PS, kërkohet emri, pra mund të regjistrohesh edhe me një emër të rremë. Akuzat janë çfarë do bënin ata po të ishin ata”, vazhdoi në deklaratën e tij deputeti socialist.
Ai tha se për një aplikacion të tillë është marrë shembuj nga vendet e tjer atë botës, mes të cilëve edhe ish-presidenti i SHBA-së, Barack Obama.