Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u tha ligjvënësve britanikë të mërkurën se do të bënte gjithçka që mundej për ta bindur botën që t’i siguronte Ukrainës avionë modernë, për t’i ndihmuar forcat e tij të mposhtin Rusinë.

“Ne… do të bëjmë gjithçka të mundur dhe të pamundur për ta bërë botën të na sigurojë avionë modernë për të fuqizuar dhe mbrojtur pilotët që do të na mbrojnë”, u tha Zelensky qindra ligjvënësve në sallën Westminster të Londrës.

Ai iu referua monarkut britanik, Mbretit Charles, i cili është pilot i trajnuar i avionëve luftarakë, dhe tha se të gjithë pilotët luftarakë në Ukrainë trajtohen si mbretër, “sepse ne kemi kaq pak të tillë, prandaj ata janë shumë të çmuar për ne”, shkruan REL.

Britania njoftoi për dërgesat e menjëhershme ushtarake, që t’i ndihmojë Ukrainës në luftën kundër forcave ruse, dhe u zotua se do të trajnojë pilotët, teksa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u takua në Londër me kryeministrin britanik, Rishi Sunak.