Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara Jill Biden dha një nga sinjalet më të qarta deri më tani se presidenti Joe Biden do të kandidojë për një mandat të dytë.
Ajo i tha agjencisë Associated Press në një intervistë ekskluzive të premten se nuk ka mbetur pothuajse asgjë tjetër për të bërë, përveçse të përcaktohet koha dhe vendi për shpalljen e kandidaturës,
Megjithëse zoti Biden ka thënë prej kohësh se synon të kërkojë rizgjedhjen, ai ende nuk e ka zyrtarizuar atë dhe është përballur me pyetjet nëse është shumë i moshuar për të vazhduar të shërbejë si president. Presidenti Biden do të ishte 86 vjeç në fund të një mandati të dytë.
“Ai thotë se ka akoma punë për të bërë,” tha zonja e parë në Nairobi, ndalesa e dytë dhe e fundit e udhëtimit të saj pesë-ditor në Afrikë. “Ai nuk e ka përfunduar atë që ka filluar. Dhe kjo është gjëja më e rëndësishme.”
“Sa herë do t’i duhet ta thotë këtë që ta besoni?” shtoi ajo.
Këshilltarët e zotit Biden kanë thënë se ai ka të ngjarë ta bëjë njoftimin në prill, e njëjta periudhë e vitit kur Presidenti Barack Obama nisi zyrtarisht fushatën e tij për rizgjedhje.
Zonja e Parë është cilësuar gjithmonë si një figurë kyçe në rrethin e Presidentit Biden, ndërsa ai bën planet për të ardhmen politike të tij.
“Sepse unë jam gruaja e tij,” tha ajo duke qeshur.
Por ajo hodhi poshtë idenë se ka votën vendimtare nëse presidenti kandidon për rizgjedhje.
“Sigurisht që ai do të më dëgjojë, sepse jemi bashkëshortë,” tha ajo.
“Por ai e vendos vetë, më besoni” shtoi ajo./ VOA