PD ka ende një zgjidhje që mund të futet në zgjedhjet e 14 majit. Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi tha në Report Tv se nëse Lulzim Basha vendos që të firmosë deklaratën solemne edhe pse afatet kanë përfunduar, mund të futen në garë për vendoret.
“Për gjykimin tim është i zgjidhur se plotësohen kërkesat që kryetari i PD e nënshkruan deklaratën dhe është tërësisht në përputhje me përcaktimet e Kodit Zgjedhor”, tha Celibashi.
Në një intervistë për ‘Kontrast’ me gazetarin Denis Minga dhe analistin Lorenc Vangjeli, Celibashi u shpreh se është katërcipërisht i bindur për vendimin që mori për mosregjistrimin e PD në zgjedhje duke sqaruar është i bazuar vetëm në ligj. Kreu i KQZ argumentoi se pasojat që prodhon respektimi i ligjit s’janë përgjegjësi e tij. Sipas Celibashit, PD e kishte mundësinë për të rregulluar situatën por nuk pati vullnetin për ta zgjidhur ndonëse i dha kohën e mjaftueshme.
Celibashi shtoi se nuk e kishte të vështirë që të merrte vendimin të cilin e kishte paralajmëruar rreth një muaj më parë dhe duhet të kishin marrë masa që të mos përfundonin në këtë pikë.
“Është vendim që në një mënyrë ose tjetër e kam paralajmëruar rreth 1 muaj e pak më para dhe e kam thënë që PD duke parë e vlerësuar situatën ligjore në të cilën ndodhej, dukej ose kishte premisa që të ishte në situatën e mos regjistrimit si subjekt zgjedhor”, tha Celibashi.
Analisti Lorenc Vangjeli tha se PD me shpirt nuk do të donte të hynte në zgjedhje sepse e sheh rezultatin e humbjes dhe do të ishte akoma më e rëndë për ta nëse do të përsëriteshin shifrat e zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit.
Kryekomisioneri e bëri të qartë se nuk mund të bëjë “sy qorr” në rastet kur ligji e përcakton dokumentacionin që duhet të kenë partitë politike për regjistrim si subjekte zgjedhore. Celibashi tha se kur merr vendime bazohet vetëm në ligj e jo në instikte apo në atë që i kërkojnë të tjerët.
Ditën e djeshme, Ilirjan Celibashi mori vendimin përfundimtar që Partia Demokratike të mos regjistrohet në zgjedhjet e 14 majit, duke përdorur argumentin se nuk ka plotësuar dokumentacionin e nevojshëm.
Celibashi e vlerësoi kusht të panegociueshëm për të regjistruar PD-në në zgjedhje, deklaratën solemne të angazhimit me firmë të Lulzim Bashës, pasi edhe pse ka dhënë dorëheqjen në mars të 2022, është ai figuron në Gjykatën e Tiranës ende si kryetar. PD e Alibeajt e ka ankimuar në KAS vendimin e Celibashit dhe kërkesën do ta shqyrtojë relatori Koli Bele.