15 vjet pas tragjedisë së Gërdecit, vëllai i një prej viktimave, Shefkli Canit që humbi jetën tragjikisht në punishte, Ramazan Cani rrëfen se për dhimbjen e madhe që ka pësuar familja e tij. Në një intervistë për gazetaren e Report Tv, Ledina Jakimi, ai u shpreh se dhimbja është edhe më e madhe në momentin që kjo ngjarje e rëndë, lihet në harresë dhe vetëm në ekranin e Report Tv dhe Shqiptarja.com botohet çdo vit përkujtimi i kësaj ngjarjeje.
Sot, pas 15 vitesh, Ramazani nuk i sheh me entuziazëm zhvillimet e fundit dhe hetimet e ndërmarra nga SPAK. Pavarësisht se duket se kjo ngjarje më në fund do të fitojë një drejtësi të munguar, për të nuk ka rëndësi se kush është pas hekurave për aq kohë sa ka humbur njerëzit e tij të dashur.
Shekli Cani, 36 vjeç humbi jetën në një moshë shumë të re, teksa punonte me gruan e tij në punishten ku gjeti edhe vdekjen. 15 vite më pas fëmijët e tyre të vegjël kanë krijuar familjet e tyre, por me pengun e madh të humbjes së dy prindërve të tyre, përgjegjësi që askush nuk e vuan.
“Unë quhem Ramazan Cani në tragjedinë e Gërdecit më ka vdekur vëllai, Shefkli Cani, kanata dhe kushëriri im. Jam i befasuar se përveç Report Tv nuk e ka publikuar askush këtë ngjarje të rëndë. vëllai dhe nusja e tij ishin duke punuar dhe ndodhi ajo që ndodhi…
Kanë lënë pas 3 çuna dhe një vajzë.”- tha ai.
I pyetur nëse kanë vijuar të ndjekin zhvillimet e SPAK për vënien e drejtësisë së munguar, ai shprehu zero interes.
“Ata e dinë, më thellë nuk mund të futem se nuk e di çfarë bën SPAK. S’kënaqemi asnjëherë me asgjë sepse ne na kanë ikur njerëzit tanë të dashur. Të burgoset kush të dojë,”- tha vëllai i viktimës për Report Tv.
15 vite nga kjo tragjedi, Shkëlzen Berisha, djali i ish kryeministrit Sali Berisha, duket se është përballë hetimit të ri, nga drejtësia e re. Ndërkohë që SPAK ka vendosur dërgimin për gjykim të Fatmir Mediut, aso kohe ministër i Mbrojtjes. Tashmë ‘topi’ është në dorën e GJKKO nëse do të pranojë të kalojë çështjen për gjykim, më 23 mars kur edhe është caktuar senaca. SPAK ka rifilluar me pyetjen e dëshmitarëve, trashëgimtarëve të viktimave dhe personat e dëmtuar nga tragjedia. Deri më tani është marrë në pyetje ish-ministrin Aldo Bumçi, ish-ministri Fatmir Mediu dhe djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha.
Çfarë ndodhi në 15 mars?
15 mars 2008, mesditë ora 12:05 një shpërthim i fuqishëm tronditi Tiranën, ndërsa krateri i tij u shënua pak kilometra më tutje në fshatin Gërdec në Vorë. Teksa minutat kalonin ajo çka kishte ndodhur ishte e paimagjinueshme, 26 të vdekur e mbi 300 të plagosur dhe me 100 shtëpi të rrafshuara. Këto ishin pasojat e shpërthimit në punishten e demontimit të municioneve shtetërore në pronësi të biznesmenit Mihal Delijorgji. Sot 15 vite më pas, ai shpërthim është ende i freskët në memorien e të gjithë. Kjo ngjarje përfundoi dhe në dyert e gjykatave shqiptare, por sot për 26 të vdekur e 300 të plagosur nuk ka asnjë person pas hekurave. Pati persona që ndërruan jetë në mënyrë të pashpjegueshme, pati dëshmitarë që u arratisën, ushtarak që morën azil politik, por për familjarët asnjëherë nuk u vendos drejtësi.