Krerët e shtetit dhe të politikës në Kosovë kanë nderuar komandantin legjendar Adem Jashari. Në ditën e dytë të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti kanë theksuar se familja e Jasharëve mbetet simbol i lirisë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca si dhe anëtarë të kabinetit qeveritar zhvilluan homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz në kuadër të ditëve të epopesë së ushtrisë clirimtare. Gjatë seancës në Kuvend, Presidentja Osmani u shpreh se ngjarjet e fillim marsit të vitit 1998, janë shtyllat më të forta mbi të cilat u ngrit shteti i Kosovës.
“U jemi mirënjohës përjetësisht të gjithë burrave dhe grave të UÇK-së të cilët i dolën zot atdheut e ranë për lirinë e tij, duke u shndërruar në pjesën më të lavdishme të historisë sonë. Ata dëshmuan se përballë dhunës së skajshme, gjithmonë forcohet skajshmërisht ndjenja për lirinë, përballë synimit për ta shfarosur apo dëbuar një popull të tërë, bëhet e pamposhtur bindja e tij për të jetuar i lirë”, tha Osmani.
Edhe kryeministri Kurti tha se qëndresa e komandantit legjendar, Adem Jashari dhe familjes së tij ishin vendimtare në historinë e shtetit.
“Ne kthehemi e rikthehemi në kryeqytetin e kryengritjes shqiptare në Prekaz për ta kujtuar e përkujtuar Epopenë e UÇK-së, e cila i dha hovin vendimtar UÇK-së dhe më pas mundësoi çlirimin dhe lirimin e vendit tonë. Sot, ndërtojmë institucione demokratike, bëjmë zhvillim ekonomike pa e harruar se kujt ia kemi borxh këtë liri, e këtë mundësi që të ecim përpara”, deklaroi Kurti pas homazheve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, u shpreh Kurti para mediave. Në 6 mars të vitit 1998, sulmet e ushtrisë serbe ndaj familjes se Jasharëve u ashpërsuan. Ndërkohë 7 marsi njihet si dita e rënies heroike të Komandantit të UÇK-së, Adem Jashari dhe anëtarëve të tjerë të familjes.