Telefonata e parë nga një celular u bë më 3 prill 1973, nga një telefon DynaTac Motorola në madhësinë e një kutie këpucësh në qytetin e Nju Jorkut. Protagonist i këtij momenti historik është inxhinieri amerikan Martin Cooper.
“Ne në Motorola e kemi bërë këtë, telefonia celulare është një realitet,” thotë Cooper, në thirrjen e parë “wireless” të bërë ndaj rivalit të tij të drejtpërdrejtë, studiuesit të Bell Labs, Joel Engel.
Por vetëm shumë vite pas asaj telefonate të parë, eksperimenti arrin të ketë një audiencë më të gjerë falë caktimit të frekuencave të para dhe më pas marketingut të celularëve të parë.
Pasardhësi i prototipit të përdorur nga Martin Cooper është DynaTac 8000X, celulari i parë portativ që doli në shitje më 6 mars 1983, duke hapur kështu një epokë të re në sektorin e telekomunikacionit dyzet vjet më parë por edhe në jetën tonë.
Telefoni që ju lejonte të bënit 30 minuta telefonata kishte një çmim bazë prej 3 995 dollarë, ishte i njohur në industri si “tulla” dhe i dukshëm në shumë skena të filmit Wall Street të vitit 1987 me Michael Douglas.
Martin Cooper, i lindur në 1928 , nuk e ka humbur dëshirën për t’u përfshirë në teknologji: inxhinieri 94-vjeçar vazhdon të jetë ‘i lidhur’ me profilin e tij në Twitter @MartyMobile dhe publikon intervista.
Së fundmi ai shprehu shqetësime për varësinë e telefonit dhe efektet e pajisjeve te fëmijët.