Kryeministri Edi Rama është pyetur nëse është në shkelje të Kodit Zgjedhor pasi ka vendosur që të shpërblejë pensionistët me 5 mijë lekë nga mbledhja e taksës së jashtëzakonshme në prag të zgjedhjeve lokale.

Rama tha se ky është një premtim i zotuar shumë kohë më parë dhe nuk kanë ndërmend që të lënë pensionistët pa mbështetje në këtë periudhë krize.

Sipas Ramës, diçka e tillë as nuk duhet të kalojë nëpër mend kur pensionistët kanë dhënë më shumë se të gjithë dhe në këtë histori ndryshimi kanë marrë më pak.
“Ky për pensionistët është një adresim në vazhdim i një problem që ekziston, siç ekzistonte dhe më parë, por nëse nuk ndihet, nuk ndihet sepse qeveria shqiptare është aty, në mbrojtje të gjithë konsumatorëve familjarë, të të gjithë bizneseve të vogla që do të thotë problemi i madh i krizës së çmimit të energjisë dhe problemi i madh i inflacionit të luftës.

Ne nuk mund t’u themi pensionistëve nga taksa e jashtëzakonshme e cila mblidhet tani në fund të marsit ju s’mund të merrni gjë se janë ca zgjedhje vendore dhe do prisni 4 muaj se kështu kanë vendosur së bashku partitë në ato kinezëritë e tyre për të bërë sisteme që janë të panjohura në botë,” – u shpreh Rama.