Alexandre Pato ishte një nga talentet më të pastra që Italia e futbollit ka admiruar në 15 vitet e fundit. Një debutim ëndrrash, vetëm 18 vjeç, me një gol kundër Napolit dhe në një kohë të shkurtër tashmë titullar i Milanit që kishte në përbërje asokohe kampionë të kalibrit të Ronaldos dhe Kakà, pastaj Ronaldinho dhe gjithashtu Ibrahimovic.
Dhjetë vite më parë lamtumira, kthimi në atdhe dhe eksperiencat në Spanjë, Angli, Kinë e në fund SHBA. Në Orlando, aventura e tij e fundit sipas rendit kronologjik. Sot, në moshën 33-vjeçare, Pato ka kartonin në dorë dhe është gati t’ia nisë nga e para. Ai stërvitet në Sao Paulo dhe si ish-partneri i tij Ibra dëshiron të dëshmojë edhe një herë se mund të rifillojë pas një dëmtimi.
Alexandre Pato, si jeni para së gjithash?
Jam mirë. Fatkeqësisht, lëndimet ndodhin në futboll dhe më kanë penguar kohët e fundit. Kam vuajtur me gjurin, pas një përplasjeje loje. Më kanë mbetur edhe dy muaj për t’u rikthyer në fushë, por nuk jam me nxitim. Tani jam lojtar i lirë. Të shohim se çfarë do të ndodhë në këto dy muaj.
Aktualisht jeni në Brazil. A mendoni se skuadra juaj e ardhshme do të jetë atje?
Për momentin dua vetëm të shërohem mirë, nuk po nxitoj të kthehem. Le të shohim se çfarë do të ndodhë, nuk i mbyll dyert asnjë klubi. Jam i lumtur që Sao Paulo më ka hapur dyert për t’u trajtuar këtu, por kurrë nuk kemi folur për t’u kthyer e luajtur me ta. Do të shohim, ata e dinë që unë jam i lirë.
Ju i mungoni Italisë që nga viti 2013. Çfarë është për ju Italia dhe Milano?
Ka një arsye pse Ibrahimovic është mbi 40 vjeç dhe po bën mirë atje. Unë e dua Milanin, sepse më ka dhënë kaq shumë. Më pëlqen shumë Serie A, më mungon Italia. I thashë gruas sime se do të kthehesha dhe ajo është e gatshme të bëjë gjithçka për mua. Unë mbetem një tifoz i vendit tuaj, i cili ka njerëz të bukur, që janë të apasionuar pas futbollit. Siç thashë, nuk e di se çfarë më pret në të ardhmen, por dyert për rikthimin tim janë sigurisht të hapura.
A jeni kthyer ndonjëherë në Itali?
Kur isha në Kinë, erdha atje për të parë miqtë e mi, pastaj Gallianin dhe Berlusconin. Por më pas nuk munda më për shkak të përvojave të tjera sportive në Brazil dhe Shtetet e Bashkuara. Tani dua të kthehem, pavarësisht nëse është për pushime apo kushedi për punë.
A e keni ndjekur Milanin në këto dhjetë vite?
Unë e kam ndjekur gjithmonë, mbaj kontakte me shumë miq që punojnë atje. Shoh që ka ndryshuar shumë dhe po ndjek një linjë të saktë, brenda dhe jashtë fushës. Milani vetëm mund të rritet.
Këto 10 vite kanë qenë shumë të vështira për Milanin…
Në këto vite futboll kam kuptuar që ka ulje-ngritje për çdo klub në botë. Janë procese, ndryshime që vijnë. Falë Zotit më ka ndodhur të luaj me legjendat, me historinë e futbollit, por edhe të rinjtë. Është e vërtetë, Milani ka pasur momente të errëta, por është rikthyer te fitimi i titullit dhe objektivat i ka të qarta: rikthimi fuqishëm në Champions League. Shpresoj që të vazhdojë në këtë rrugë.
Ju keni mbërritur në Milano 17 vjeç. Shumë më pas ju panë si të ardhmen e kuqezinjve. A menduat edhe ju kështu?
Një këshillë që ua jap të gjithë lojtarëve: jo vetëm duhet të kuptoni se çfarë po ndodh në fushë, por edhe rreth jush. Fatkeqësisht, në atë kohë isha një djalë i fokusuar vetëm te fusha, pa dijeni se çfarë po ndodhte jashtë saj. E mësova këtë në lëkurën time. Do të kisha dashur të kisha pasur mendjen që kam sot, për të kuptuar se si funksionoi jashtë fushës. Por nuk jam penduar, sepse futbolli më ka mësuar shumë. Unë e dua Milanin, sepse më ka dhënë shumë. I jam mirënjohës Milanit për atë që më ka mësuar dhe sepse më ka dhënë një ekspozim të madh në botë. Sigurisht, nëse do të mund të kthehesha, do të sillesha ndryshe.
Në atë kohë dukej se ishte kryer kalimi juaj te Paris Saint-Germain. A ishte ky udhëkryqi në karrierën tuaj?
Nuk e di. Mund të ishte bukur, por mund të kishte shkuar keq. Unë isha lojtar i Milanit, duhej ta pyesja presidentin nëse mund të shkoja apo jo. Dhe ai më dha mundësinë të qëndroja, ndaj u vura në dispozicion të klubit tim. Isha i kënaqur me vendimin e marrë. Më pas erdhën dëmtimet dhe u ktheva në Brazil.
Thuhej se shkaku i lëndimeve tuaja ishte ‘Milan Lab’ dhe se marrëdhënia juaj me Barbara Berlusconin ndikoi…
Jo, asnjëra nga këto. Përkundrazi, të gjithë te Milani ishin pranë meje, por fatkeqësisht gjërat shkuan ashtu. Në thelb, gjithçka që kam kaluar më ka bërë të rritem dhe të jem personi që jam sot.
Mbrëmja e madhe e të mërkurës në Champions League me Tottenham-Milan. A do ta shikoni?
Sigurisht dhe jam shumë i lumtur që kuqezinjtë e fituan ndeshjen e parë. Mendoj se është shumë e vështirë të luash kundër një ekipi anglez.
Kthimi nis nga 1-0 në “San Siro”…
Kuqezinjtë duhet të jenë të kujdesshëm, sepse Tottenhami është shumë i fortë dhe do të ketë mbështetjen e tifozëve të vet. Do të jetë një atmosferë tjetër, por unë mendoj se Milani e ka një këmbë në çerekfinale.
Pra, jeni optimist?
Po, unë besoj se për momentin Milani është favorit, falë fitores në ndeshjen e parë. E shoh me një këmbë në raundin tjetër, jo të dyja, megjithatë. Tottenham do të japë gjithçka, por nëse Milani bën atë që di të bëjë, do të kualifikohet.
Cili mund të jetë protagonist?
Që kur kam parë Milanin, kam parë konstatuar se Leao është një lojtar i madh. Ai bëri shumë mirë në ndeshjen e parë, u zgjodh lojtari i ndeshjes. Me shpejtësinë dhe cilësinë e tij, jam i sigurt se mund të bëjë ndryshimin.
Trajneri juaj i parë në Itali ishte Carlo Ancelotti, kandidat për stolin e Brazilit…
Më pëlqen shumë Ancelotti, do të doja ta takoja pasi ka kohë që nuk e kam parë. Unë e dua atë, më trajtoi si djalin e tij. Personalisht mendoj se ai mund t’i japë shumë Selecao, mund ta bëjë të rritet, por shoh që ka kandidatë edhe trajnerë të mëdhenj në Brazil.
A jeni i befasuar kur shihni Ibrahimovic ende në fushë? E kishit shok skuadre dhe fituat titullin më 2011…
Fatkeqësisht, kur lojtarët pësojnë një dëmtim bëhet e vështirë. Askush nuk dëshiron të qëndrojë larg fushës dhe kur kthehet e përjeton si një hakmarrje. Ai ka kaluar shumë kohët e fundit, por gjithmonë ka reaguar. Kjo është bukuria e futbollit. Ibrahimovic nuk më befason, ai ka qenë gjithnjë i tillë. Nëse më pyesin a do të ndalojë do të thoja se duket shumë e vështirë, ngaqë ka një dëshirë të madhe për të luajtur. Më pëlqejnë njerëz të tillë, që kanë forcën për të kapërcyer momentet e vështira.