Të paktën 32 persona kanë vdekur dhe 85 të tjerë janë plagosur pas përplasjes kokë më kokë të dy trenave në Greqinë Veriore. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së martës, pak para mesnate në Tempi pranë qytetit të Larisës, ku një tren me pasagjerë u përplas me një tren mallrash, shkruan CNN.
“Procesi i evakuimit po vazhdon dhe po kryhet në kushte shumë të vështira për shkak të fortësisë së përplasjes mes dy trenave”, tha një zëdhënës i shërbimit zjarrfikës të Greqisë.
Të mbijetuarit thanë se disa pasagjerë u hodhën nga dritaret e vagonëve të trenit për shkak të përplasjes. Treni me pasagjerë po udhëtonte nga Athina për në Selanik, që është qyteti i dytë më i madh i Greqisë.