Aksidenti i rëndë i ndodhur në zonën e TEG në Tiranë, ku humbën jetën 3 të rinj, për sociologen e njohur Entela Binjaku tregon se një pjesë e mirë e të rinve shqiptarë kanë pak respekt për jetën dhe të tjerët. E ftuar në lidhje të drejtpërdrejtë në Report Tv, sociologia shpjegoi nga ana psiko-sociale tendencën e shumë të rinjve për të shfaqur luksin në rrjete sociale, për të reklamuar të ndaluarën dhe rrezikun pa marrë parasysh pasojat që sjellin në jetën e tyre por edhe të të tjerëve.
Binjaku tha se ishte një ngjarje e rëndë dhe tronditëse për opinionin publik dhe se empatia e bën të pamundur të jesh indiferent në këto raste. E pyetur nga gazetari i Report Tv Andi Kapxhiu se si e gjykon qasjen e të rinjve në promovimin që i bëjnë çdo dite materializmit dhe kriminalitetit ajo u shpreh.
“Ka një grup njerëzish që e bëjnë shpesh këtë gjë, publikojnë në rrjetet sociale një lloj statusi ekonomik, që është joshëse për të tjerët dhe nga kjo marrin vlerësim dhe admirim për një të mirë materiale që posedojnë”- u shpreh sociologia.
“Çdo gjë që është e ndaluar për normat e një shoqëria është joshëse dhe përbën tërheqje për disa persona”, vijoi Binjaku.
Më tej ajo bëri thirrje për prindërit dhe institucionet që të mësojnë rëndësinë e jetës, respektin për jetën dhe ligjin dhe të kenë frikë nga pasojat e ligjit. (Shqiptarja.com)