Alba Malltezi
Janë shumë domethënëse pamjet që televizionet informative transmetojnë nga oborri i selisë së Partisë Demokratike në orën 11.35, pak minuta para fillimit të revolucionit të paralajmëruar në mesditë. Më shumë makina të markave më të shtrenjta të globit, e më pak qytetarë apo simpatizantë.
Disa Range Rover, disa Benz-Mercedes stonojnë me qytetarët që mbajnë në duar flamujt e Europës, SHBA-ve, dhe parrulla që shprehin pakënaqësinë e tyre të hapur me qeverisjen në vendin tonë. Jo se këto marka nuk do t’i meritonin t’i gëzonin të gjithë qytetarët e mbledhur aty, përkundrazi, secili prej tyre do të meritonte shumë më shumë mirëqënie, qetësi, rehati, respekt, mirënjohje, por sepse janë pikërisht pronarët e atyre makinave pompoze që janë shkaktarët e brishtësisë së qytetarëve që ndodhen aty. Sa më gjigande dhe imponuese ato makina, aq më të brishtë, drithërues, të pafrymë qytetarët. Në atë oborr nën diellin e Tiranës sot, po ndodh një metaforë tronditëse: Sa hapësirë ka për luksin dhe sa hapsirë ka për zërin e të pafuqishmëve.
Në të vërtetë ka qënë prej shumë vitesh kështu. Disa e shohin dhe e kuptojnë mirë situatën, të tjerë vazhdojnë të kapen tek fijet e barit duke këmbëngulur të ndjekin një rrugë të gabuar, një filozofi të gabuar, njerëzit e gabuar që nga sediljet e rehatshme, dhe xhamat e blinduar ose jo të fuoristradave më të shtrenjta në botë kanë humbur kontaktin me realitetin dhe me kuptimin e vërtetë të jetës dhe të protestës. Si mund të planifikohet një revolucion, kur ke një oborr të mbushur me makina luksi dhe mbështetësit e tu të dëshpëruar qëndrojnë gati gati te kangjellat.