Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka ftuar sërish grupin e “Rithemelimit” t’i bashkohet PD-së zyrtare, pas mbledhjes së Kryesisë. Alibeaj njoftoi edhe tre vendimet e rëndësishme të cilat janë miratuar në mbledhjen e Kryesisë së PD.

Alibeaj tha se PD e drejtuar prej tij vendos për krijimin e një koalicioni me bazë të gjerë të partive të qendrës së djathtë, duke injoruar kështu koalicionin e Sali Berishës me Ilir Metën.

Megjithatë Alibeaj tha se PD është e hapur për të gjithë kandidatët e primareve të “Rithemelimit”, me qëllimin e vetëm që demokratët të dalin me një kandidat unik në zgjedhjet vendore të 14 majit.

Deklarata e Alibeajt:

Ajo se çfarë më kanë propozuar, është që vendimi i gjykatës së Apelit, nuk përbën për askënd ndonjë moment triumfi, as për mua, as ndonjë moment revanshi. Është një moment i një ngarkimi me një përgjegjësi historike, për të rimarrë edhe njëherë strukturat e PD me energji të reja.

Jam i vetëdijshëm dhe i kënaqur që gjeta të njëjtën konsideratë nga anëtarët e Kryesisë, jemi të vendosur më shumë se kurrë që së bashku me demokratët pa dallim, me zgjedhësit tanë dhe në bashkëpunim të ngushtë me SHBA, BE, të ruajmë dhe të forcojmë më tej orientimin euro-atlantik të PD. Ajo çfarë propozuan strukturat janë zgjedhjet e 14 majit, PD e ka detyrim shumë të fortë, që të jetë e fokusuar te zgjedhjet e 14 majit. Këto janë dy çështjet kryesore që iu propozova strukturave më lart, dhe gjeta mbështetje pozitive.

Lidhur me aleancat, PD merr përsipër ngritjen e një aleance sa më të gjerë, me partitë e qendrës së djathtë. Ky është elementi i parë. Së dyti, lidhur me këshillat bashkiakë, kam propozuar dhe është miratuar që duhet të fillojë menjëherë nga puna, duke ftuar demokratët dhe intelektualët, që të bëhen pjesë e listave të këshilltarëve të PD në Bashkitë repsektive. Do të jetë vendimmarje e PD që do të përcaktojë rregullat lidhur me përbërjen e listave. Së treti, lidhur me kandidatët për kryetarë Bashkie, duke konsideruar primaret e para 2021, votimet me primare nga grupi i Rithemelimit dhe kandidatë të tjerë, i kam propozuar hapjen pa asnjë kufizim ndaj të gjithë këtyre prurrjeve, kandiatëve tanë të propozuar, kandidatëve nga procesi i rithemelimit, me një synim të vetëm, me daljen me kandidat unik në çdo bashki. Të heqim dozën e madhe të urretjes mes nesh.