Pasi Gjykata e Apelit vendosi në favor të grupit të Enkelejd Alibeajt, ky i fundit po nis përgatitjet për zgjedhjet vendore të 14 majit. Teksa pritet që të hënën të depozitojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve regjistrimin e PD-së për garën elektorale, Alibeaj, në cilësinë e kryetarit të komanduar të PD-së, do të mbledhë të hënën strukturat e partisë.

Në njoftimin për mediat, Alibeaj bën me dije se do të mbledhë kryesinë e Partisë, grupin parlamentar dhe Kolegjin e Kryetarëve, mbledhje në të cilat do të diskutohet mbi situatën e fundit të krijuar brenda Partisë Demokratike, si edhe një fokus të veçantë do kenë zgjedhjet vendore.

Pas vendimit të gjykatës për t’i kaluar vulën, përfaqësuesi ligjor i PD-së, Indrit Sefa njoftoi se të hënën do të depozitojnë në KQZ kërkesën për t’u regjistruar në zgjedhje.