Nga Ylli Pata/
Sot në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, pati zëra të rëndësishëm, si Jorida Tabaku apo Dhurata Çupi, të cilët kanë propozuar një version fatalist për Partinë Demokratike më 14 maj. Ndërsa Tabaku tha se duhet të punojnë për kandidatët e foltores për kryebashkiakë, deputetja Dhurata Çupi dha një version edhe më dramatik. Që Partia Demokratik nuk duhet të dalë me kandidatë fare më 14 maj, por vetëm me kandidatë për këshillat bashkiakë.
E që në thelb ka pikërisht atë që tha edhe Tabaku, pra që Partia Demokratike t’i dorëzohet Foltores dhe të bëjë fushatë për kandidatët e Sali Berishës. Ky propozim(bëhet fjalë për të parin) politikisht është pa asnjë sens, ndërkohë që nga ana praktike nuk është fare i mundur.
Ka qenë Enkelejd Alibeaj, i cili sapo PD është regjistruar në KQZ, zyrtarisht ka bërë thirrje për kandidatë unike, duke përfshirë një proces diskutimi edhe për kandidatët e “primareve”. Sado e “passinqertë” apo “provocative” mund të ketë qenë ftesa politike e Alibeajt, përgjigja e Foltores ka qenë e prerë e qartë dhe refuzuese. Madje Sali Berisha, e tha qartë sot se synimi i foltores do të jetë për të fundosur përfundimisht “klanin e Alibashës”.
Por atëherë, përse ka ende kësi lloj teorish, të cilat dalin jo thjesht nga politikanë të palineuar, apo të pastabilizuar në struktura të PD-së, por nga deputetë të rëndësishëm e me poste të rëndësishme, siç është zonja Tabaku apo zonja Çupi? Praktikisht që me ikjen e Lulzim Bashës një vit në parë, në Partinë Demokratike ka një vebrim konkurence për të luajtur rolin e protagonizmit. E kjo është e pritshme, krejt e natyrshme dhe dialektike. U pa që vjet me kthesën aq të fortë të Grida Dumës, nga mallkimi i doktorit tek përqafimi i beftë dhe afrimi drejt foltores.
Është krejt i logjikshëm që në protagonizmin e tyre, deputetë apo politikanë të tjerë në PD t’I drejtohen edhe pjesës së militantëve që janë atashuar me Sali Berishën, edhe pse ka shumë gjasa që është një lëvizje krejt e padobishme. Përveç një procesi që mund të ndodhë në një moment të dytë të rikonfigurimit të opozitës shqiptare, të paktën sot për sot forcat janë kriastalizuar qartë.
Është opozita që nuk e do lider Sali Berishën, ku përfshihet PD zyrtare, koalicioni ndërmjet Dashamir Shehit e Astrit Patozi, si dhe partitë e vogla të së djathtës që kanë shpallur distancimin social nga foltorja, si dhe establishment Berisha-Meta, së bashku me grupimet satellite rreth saj.
Këto dy grupime janë realisht vorbulla e politikës shqiptare tani për tani, përjashto ndonjë zhvillim i ri që mund të lindë rrugës. Sali Berisha dhe Ilir Meta janë më të qartë, pasi përveç superstrukturës së bollshme që ata kanë për të kryer fushata e aksione pasforcime, janë edhe zanatçi më të zot e më me përvojë se politikanët e rinj që kanë një pasiguri dhe paqartësi se si të sillen.
Në fakt, nuk janë vetëm zonjat Tabaku e Çupi në grupin e PD-së që prej kohësh lëvizin mes “Shilës dhe Karidbës” por edhe deputetë të tjerë, ose është më korrekte të thuash thuajse të gjithë deputetët. E përgjigja për këtë paqartësi, ka shumë gjasa të vijë nesër, kur Partia Demokratike do të mbledhë organin më të rëndësishëm apo kartën politike më të fortë që ajo ka: Kolegjin e Kryetarëve.
Është pikërisht struktura e degëve të Partisë Demokratike që ka fuqinë e rëndësinë më të madhe në çdo fushatë apo aksion politik. Por në këtë gjendje, degët kanë marrë një fuqi edhe më të madhe, sidomos si pasojë e përplasjes së ashpër për një vit me strukturat e foltores. E sipas gjasave, piëkrisht drejtuesit në bazë, kanë arritur të kapin momentin për të qenë protagonistët edhe politik në vendimarrjen e Partisë Demokratike. E kjo vendimarrje, duket qartë se nuk ka pëlqimin e një grupi deputetësh.
Jorida Tabaku, mund të ishte shumë mirë kandidate për kryetare e bashkisë së Tiranës, e natyrisht është zgjedhja e saj që të mos i hynte garës. Ndërkaq, ideja e saj dhe të tjerëve për kandidatët unikë nuk është fundi i botës, shumë mirë mund të arrihet edhe tani një marrëveshje për ndonjë kandidat të “primareve”. Por kjo mund të ndodhë në zona ku kandidatët përkatës nuk kanë dhënë asnjë provë për përçarjen e PD-së dhe sulmin e ndërsjelltë. Siç është folur për kandidatë në disa bashki jot ë mëdha si ajo e Libohovës apo Divjakës.
Megjithatë politikisht Partia Demokratike, pas gjithë këtij kalvari agresioni ligjor, verbal fizik e politik, i ka të gjitha të dhënat për t’i hyrë një gare të plotë, gjithëpërfshirëse dhe të fortë zgjedhore më 14 maj. Edhe nëse nuk fiton, ato zgjedhje do të jenë primaret e vërteta jo vetëm të Partisë Demokratike, por të të gjithë opozitën shqiptare. Nuk ka mënyrë tjetër selektimi sesa zgjdhjet, e sipas gjasave në PD ka shumë e shumë që u hanë duart për punë.
Madje ka shumë mudnësi që janë në hiperaktivitet, e kjo dukshëm ka krijuar një situatë të re. E cila nuk ka përse shqetëson e frikëson deputetët, pasi është një provë e re për ta që të marrin realisht bekimin e bazës. Pasi deri më sot kanë pasur vetëm atë të Lulzim Bashës dhe Sali Berishës.