Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame, inspektuan punimet për asfaltimin e rrugës “Haki Glina” në Sauk. Veliaj u shpreh se teksa Agjencia e Kadastrës po ecën me legalizimin e banesave, Bashkia e Tiranës punon për urbanizimin e zonave.
“Në Shqipërinë e pas viteve ’90 nuk e kemi luksin të zgjedhim ose urbanizimin, ose legalizimin – duhet të ecim njëkohësisht me të dyja. Artan lame dhe skuadra e tij ka ecur me legalizimin, kurse ne me skuadrën tonë, ecim me urbanizimin. Shtëpia ka vlerë kur i ka të dyja: kur i ka edhe letrat, edhe infrastrukturën. Ndaj, vërtet besoj se sot me letrat e legalizimit dhe infrastrukturën që sjell bashkia, si dy shina paralele, e çojnë trenin deri në destinacion”, tha Veliaj.
Ai dha lajmin e mirë për Njësinë 2, kur shtoi se Bashkia e Tiranës po ndërhyn në çdo cep të qytetit.
“Plani është të vazhdojmë kështu përditë, jo vetëm me ndërmarrjen e bashkisë, por edhe me një paketë kontraktore. Njësia 2 do të preket cep e më cep sepse është njësia e dytë për nga renditja, por edhe për nga madhësia, pas Njësisë 5. Është njësi jashtëzakonisht e madhe. Mund të ishte një qytet i dytë ose i tretë i Shqipërisë. Unë besoj fort se nëse vazhdojnë përnatë nga një rrugë e nga një rrugicë, çdo ditë nga një shtëpi, nga një pallat, do e çojmë deri në fund këtë operacion, edhe të legalizimit, edhe të urbanizimit”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se do të ketë gjithmonë skeptikë, por Bashkia e Tiranës do punojë çdo ditë për të qytetarët e saj.
“I falënderoj me zemër qytetarët për durimin. E di që është kohës shirash, ndaj jemi me shpresë se na mban koha për ta mbaruar këtë segment para se të fillojnë shirat e tjerë. Por, ashtu siç është koha shirash nga Zoti, është edhe koha shirash me muhabete fushate. Është shumë e rëndësishme që në demokraci t’i dëgjojmë të gjithë, por të punojmë për të gjithë. Unë jam shumë i fokusuar te kjo e dyta. Do dëgjojmë lloj-lloj teorish, kush e kishte shansin për ta bërë e kishte shansin për të na treguar si bëhet. Por tani që e kemi në dorë që ta bëjmë ne, do vazhdojmë punën. Nuk dua që për efekt të fushatës, politika të zërë hapësirën që duhet të zërë asfalti. Ne do vazhdojmë punën tonë”, përfundoi Veliaj.