Në një intervistë për Corriere della Sera, regjisori Edward Berger e cilëson një sukses të jashtëzakonshëm dhe të papritur, dhe falënderon mbi të gjitha vajzën e tij.
Pse?
Kur ma propozuan këtë film, mendova se ishte një ide e mirë. E kuptova se sa shumë ndikim ka pasur ky libër brenda meje që kur e lexova për herë të parë kur isha i ri. E diskutova me familjen time dhe vajza më tha: “Është libri më i bukur që kam lexuar ndonjëherë!”. Ndjeva se tek ajo kishte pasur të njëjtin ndikim si tek unë. Unë mendoj se çdo lexues i ri i Remarque është i mahnitur nga denoncimi i tij mbi tmerret e luftës. Por për ne gjermanët ky libër ka një kuptim edhe më të thellë.
Skenari i parë u shkrua nga Ian Stokell dhe Lesley Paterson. Si punuat me të?
Në fillim me dukej si një film që e kishim parë më parë, nga këndvështrimi anglo-amerikan. Është perspektiva e heroit pozitiv që e fitoi luftën me nder dhe krenari, dhe pozitivitetin e dikujt që është i rreshtuar në anën e duhur të historisë.
Ishin anglo-amerikanët ata që çliruan Evropën nga nazi-fashizmi. Kjo është një trashëgimi morale dhe kulturore e ndryshme nga ajo e gjermanëve. Dhe unë doja ta përfshija këtë të fundit në film, duke u bazuar sërish tek libri. E bëra këtë duke e shmangur rrugëtimin e heroit, si për të theksuar se çdo jetë e humbur njerëzore ka peshën e saj.
Çfarë krahasimi bëtë me filmin e Leëis Milestone, dalë në kinema në vitin 1930, vetëm një vit pas botimit të librit, dhe që atë vit fitoi një çmim Oscar?
Unë nuk doja një version të ri të atij filmi, por një përshtatje të re kinematografike të romanit. E pashë sërish atë film dhe disa javë u bllokova nga frika se nuk isha në lartësinë e kësaj sfide. Rrugëdaljen e gjeta nga faqet e librit të Remarque. Libri është në fakt një ditar lufte shumë subjektiv.
Ai ishte edhe gazetar, dhe proza e tij është shumë e bukur dhe lakonike. Remarque ofron përshkrime pa shumë emocione, gjë që e bën atë edhe më të fuqishëm dhe më prekës për lexuesin. Doja ta përsërisja atë përvojë me kamerën, për t’i parë gjërat përmes syve dhe stomakut të Paul Bäumer.
Është rrugëtimi i një djali që është manipuluar nga një propagandë populiste, e cila i tha se lufta do të ishte një aventurë. Por shumë shpejt e kupton se të gjitha ishin gënjeshtra, dhe ne jemi dëshmitarë të humbjes së pafajësisë së tij. Ai shndërrohet në një makineri vrasëse, që përpiqet vetëm të mbijetojë. Por të mbijetosh do të thotë të vrasësh të tjerët. Këtë gjë e përmbledh më së miri skena e tmerrshme e takimit me ushtarin francez. Ushtarët në llogore nuk dallohen nga njëri-tjetri.
A prisnit kaq shumë çmime? Shtatë Bafta, tani Oscar duke përfshirë atë të filmit më të mirë?
Sinqerisht nuk e prisja. Ne jemi të lumtur për këtë. Më dukej se njerëzit prekeshin nga filmi ynë, dhe vëmendja për të u rrit dalëngadalë nga festivali në festival. E njëjta gjë ndodhi edhe në platformën Netflix.
Sa e rëndësishme është afërsia me luftën në Ukrainë?
Sigurisht, ne nuk mund ta dinim se çfarë do të ndodhte 3 vjet më parë. Por po shihnim qartë rritjen e nacionalizmit dhe partive të ekstremit të djathtë në të gjithë Evropën. Një atmosferë jo aq e ndryshme nga ajo e një shekulli më parë. Kjo gjë na motivoi. Lufta në Ukrainë na prek nga afër, por le të kujtojmë se ka luftëra të tjera, në Siri, në Afrikë për të cilat nuk flasim.
Përveç Daniel Brühl, zgjodhët edhe aktorë të panjohur si Felix Kammerer që luan rolin e Paul….
Doja të kisha djelmosha të rinj që nuk ishin parë më parë nga publiku dhe që të kishin një fare pafajësie para kamerës.
Aktualisht jeni duke xhiruar në Cinecittà…
Po filmin “Konklava” nga romani i Robert Harris është një histori e bukur rreth dyshimit. Grupi ynë është vendosur përballë “Teatro 5” ku punonte Federico Fellini. Një ëndërr. Kinemaja italiane ka prodhuar filmat më të mirë në botë. / bota.al