Një nga vrimat e zeza më të mëdha, me një masë mbi 30 miliardë herë më të madhe se masa e Diellit, u zbulua nga një ekip astronomësh, duke përdorur fenomenin e quajtur “thjerrëza gravitacionale”. Ekipi, i udhëhequr nga Universiteti Durham i Britanisë, përdori lente gravitacionale, ku fusha gravitacionale e një galaktike në plan të parë përkul dritën nga një objekt më i largët dhe e zmadhon atë. Ekipi përdori gjithashtu simulime me ndihmën e një superkompjuteri të vendosur në këtë Universitet dhe imazhe me rezolucion ultra të lartë nga Teleskopi Hapësinor Hubble i NASA-s për të ekzaminuar nga afër.
Astronomët kanë pikasur një vrimë të zezë supermasive, e para e gjetur ndonjëherë duke përdorur këtë teknikë, në të cilën ekipi simulon dritën që udhëton nëpër Univers qindra mijëra herë.
“Kjo vrimë e zezë, e cila është rreth 30 miliardë herë më e madhe se masa e Diellit tonë, është një nga më të mëdhatë e zbuluara ndonjëherë dhe në kufirin e sipërm të asaj se sa të mëdha mendojmë se mund të jenë teorikisht vrimat e zeza. Pra, është një zbulim jashtëzakonisht emocionues”, tha autori kryesor James Nightingale, nga Departamenti i Fizikës i Universitetit Durham.
Ai shton se lente gravitacionale “bën të mundur studimin e vrimave të zeza joaktive, gjë që aktualisht nuk është e mundur në galaktikat e largëta. Kjo qasje mund të na lejojë të zbulojmë shumë më tepër vrima të zeza përtej universit tonë lokal dhepër të zbuluar se si ata evoluan më tej në kohën kozmike”.