Avokati Saimir Vishaj është shprehur se e njihte personalisht Dan Hutrën duke thënë se ky i fundit e bleu me lekë gruan e dytë. Në një intervistë për Euronews Albania, ai nënvizoi se gruaja përpiqej të ulte gjakrat në familje ndërsa Dan Hutra ishte njeri krejt ndryshe.
“Unë e njoh shumë mirë Dan Hutrën. Ai dyshonte në një shtatzëni. Në Shqipëri gratë blihen me lekë dhe që nga ky moment ato duhet të jenë të nënshtruara , të rri brenda mureve të shtëpisë. Këto martesash na kanë kthyer 500 vite mbrapa. Unë e njihja si familje ishte shumë e mirë. Gruaja e dytë mundohej që të pajtohej që të ulte gjakrat. Hutra ishte njeri krejt ndryshe.”- tha Vishaj.
Sipas tij, vrasësi i tre grave të mërkurën në kryeqytet, kishte probleme skizofrenie. Siç tregoi Vishaj, Hutra nuk pranonte atësinë e fëmijëve të tij.
“Ky asnjëherë nuk e pranonte që fëmija është i imi. Këto janë probleme të psiko-motorit që vuan ai sepse një mashkull të ngrejë dorë mbi një femër, jo mbi një, por mbi disa tregon që ka një lloj skizofrenie që hyn më shumë në ato raportet e psikopatisë, sepse një njeri normal që vjen mbas 20 vitesh burgimi dhe të riaktivizosh ato qeliza për të realizuar vepra penale të tilla, aq të rënda që prekin Shqipërinë, është e tmerrshme,” – u shpreh Vishaj.
Sipas tij, vrasësi i tre grave të mërkurën në kryeqytet dhe i vrasjeve të tjera më herët, do të dënohet me burg të përjetshëm në institucion të sigurisë së lartë.
“Nëse në burg i mban dhe i trajton si çdo i burgosur tjetër pa bërë një terapi nga ana e sociologut apo psikologut, pa dhënë ai një raport që kemi 6 muaj, 8 muaj, 1 vit, 2 vjet që po e mbajmë, a ka ndonjë fije shprese që ky njeri do të kthehet në normalitet, apo ta dëgjojmë në telefon duke kërcënuar dhe nga burgu,” – u shpreh Vishaj.
Sipas tij nëse këto masa do të ishin marrë gjatë kohës që Dan Hutra ka qenë në burg, ngjarja e të mërkurës nuk do të kishte ndodhur.