Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla nga Divjaka është shprehur se për Shqipërinë është dëm i madh që opozita të drejtohet nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, nga ana tjetër duke e konsideruar si një fat të madh për PS-në.
Balla tha se një kandidat që ka mbështetjen e Berishës dhe Metës nuk ka asgjë për t’i ofruar Divjakës për ta zhvilluar si bashki dhe si njësi administrative.
“Sa kemi pritur të gjithë që jemi në këtë sallë që më në fund ta kemi Sali Berishën dhe Ilir Metën në një thes. Sa kemi dashur që këta të dy t’i kemi bashkë. Sot Ilirin e ke çdo ditë në mëngjes tek Saliu. Për ne është fat i madh si Parti Socialiste që kemi këta kundërshtarë, për Shqipërinë është dëm i madh që opozita në këtë vend në vitin 2023 ka për udhëheqës të vet Sali Berishëm dhe Ilir Metën. E ka pasur Divjakën Saliu, e kanë pasur dhe pushtetin qendror, a ka mundësi të çohet njëri dhe të thotë çfarë pune mbahet mend në njësitë e kësaj bashkie kur këtë vend e qeveriste Sali Berisha. E çfarë mund t’i ofrojë Divjakës, flas si bashki pastaj në veçanti për çdo njësi administrative një kandidat që ka për mbështetje Sali Berishën dhe Ilir Metën”- u shpreh Balla.
Balla gjithashtu theskoi se ka ende shumë punë për të bërë në Divjakë, ndaj është i rëndësishëm edhe një mandat tjetër për Partinë Socialiste dhe Edi Ramën.
“Ne duam të vazhdojmë punët e nisura dhe të rëndësishme që kemi planifikuar dhe që duhen vazhduar. Nuk është më bujqësia në Divjakë ajo që ishte në 2013 dhe kjo është falë qeverisë së Edi Ramës, por e vërtetë është që edhe për bujqësinë duhet të kishim bërë edhe më shumë punë, më shumë për institucionet, duhet të kishim bërë më shumë për mbështetjen e drejtëpërdrejt për investimet në infrastrukurën bujqësore, por mos harroni qeveria është si një familje e kësaj familjes tonë më 4 vitet e fundit i kanë ndodhur sfidat më të mëdhaja që mund ti ndodhin këtij kombi në 100 vjet. Ne jemi shumë krenarë për morinë e madhe të punëve që janë bërë deri tani në bashkinë Divjakë, kemi shumë punë të tjera për të bërë prandaj do kërkojmë një mandat tjetër në Divjakë për Partinë Socialiste, për Edi Ramën”-përfundoi Balla.