15 marsi ishte afati i fundit i regjistrimit të koalicioneve për zgjedhjet lokale të 14 majit. Surpriza nuk priteshin por kurioziteti ishte vetëm në kampin aleancës Meta-Berisha, të cilët kishin shumë pikëpyetje në kokë se si do t’i rreshtonin kandidatët e tyre për këshilltarë në të 61 bashkitë ndërkohë që mbështetja ishte shprehur e pa kursyer për 57 kandidatët e ‘Primareve’, 3 të Vangjel Dules dhe 1 në Pustec që i është lënë minoritetit maqedonas.
Koalicioni Meta-Dule-Ndoka dhe ‘Berisha në tentativë’
Ilir Meta do të jetë “i plotfuqishëm” dhe do të drejtojë koalicionin me dy forca të tjera, PBDNJ e Vangjel Dules dhe demokristianët e Nard Ndokës. “Bashkë Fitojmë” është zgjedhur emri i koalicioni që në përbërje ka në dërgesën zyrtare edhe ‘Partinë Demokratike’ me kryetar Sali Berishën por që pas vendimit të sotëm të KAS sigurisht do të regjistrohet si forcë më vetë politike me kryetar Enkelejd Alibeajn. Koalicioni pritet të regjistrojë si të vetët të gjithë anëtarët e kandidatët për kryetarë Bashkie të dalë nga ‘Primaret’ e ndërkohë që është raportuar që Berisha do të gjejë ‘strehë’ në listat e Metës edhe për një pjesë të mirë të këshilltarëve bashkiakë. Në pikën 7 të kësaj marrëveshjeje, thuhet qartë se në listat shumëemërorë për këshilltarë të Koalicionit Zgjedhor do të përfshihen për çdo parti të koalicionit, numri i kandidatëve dhe renditja e tyre bazuar në marrëveshjen midis palëve. Kandidatët në listët shumë emërore të koalicionit, pavarësisht se cilës parti i përkasin do të vlerësohen si kandidat vetëm të koalicionit, duke shmangur trajtimin e tyre sipas përkatësisë partiake.
Bashkë me emrin është publikuar edhe logoja zyrtare. Logoja është dy duar të shtrënguara me ngjyrat rozë dhe blu. Ngjyra blu mund të lidhet me Partinë Demokratike, e ndërsa lind pyetje pse dora tjetër është ngjyrë rozë dhe jo e kuqe që mund të lidhet me Partinë e Lirisë. Kjo ka një shpjegim të thjeshtë, sepse dyshja Meta dhe Berisha nuk janë munduar aspak për bërë një logo, por e kanë marrë gati nga ato që jepet mundësia për t’i shkarkuar falas ne internet. Arritja e marrëveshjes për koalicionin “Bashkë fitojmë” u bë pas ditësh të tëra negociatash e takimesh mes Berishës e Metës, Ndokës e Dules. Në koalicion të përfshirë nuk janë parti të tjera të spektrit të djathtë, me të cilët kreu i Rithemelimit thotë se ka dakordësi politike për të mbështetur në terren kandidatët e dalë nga primaret për kryebashkiakë.
‘Aleanca Liberale e Djathtë’, asi nën mëngë i ‘Rithemelimit’
Por ‘Bashkë fitojmë’ nuk është i vetmi koalicion që ka paraqitur kërkesën për regjistrim në zgjedhje. I dyti dhe i fundit është ‘Aleanca Liberale e Djathtë’, një aleancë mes tre partive të djathta si “Bashkimi Liberal Demokrat”, “Bashkimi Demokrat” dhe “Balli Kombëtar”. Ky koalicion shikohet si një ‘As nën mëngë’ i berishës për të futur pjesën tjetër të kandidatëve të tij për këshilla bashkiakë, ata që nuk do të mund t’i shtojë në koalicionin e udhëhequr nga Meta. Dhe për ta bërë të plotfuqishëm këtë koalicion të 3 partive që të gjithë së bashku nuk i bëjnë dot një ‘grusht’ vota Berisha u ka dhënë 3 deputetë, që të mos kenë asnjë vështirësi në paraqitjen e listave të kandidatëve për anëtarë këshillash bashkiakë. Sigurisht që ky koalicion në distancë do të jetë në mbështetje të kandidatë për kryetarë bashkish të ‘Primareve’. Më konkretisht, Tritan Shehu ka shkuar me Partinë “Bashkimi Liberal Demokrat”, Edmond Spaho te “Bashkimi Demokrat” dhe Luan Baçi te “Balli Kombëtar”.
Kodi Zgjedhor thotë në nenin 68 pika 2 se “kandidatët për organet e njësisë së qeverisjes vendore, të paraqitur nga partitë politike, të cilat nuk zotërojnë asnjë mandat në Kuvend ose në organet e njësisë përkatëse të qeverisjes vendore, duhet të mbështeten nga jo më pak se 1 për qind e zgjedhësve të asaj njësie, por, në çdo rast, jo më shumë se 3,000 dhe jo më pak se 50 zgjedhës. Bën përjashtim nga ky rregull koalicioni, ku partitë pjesëtare zotërojnë bashkërisht në Kuvend një numër mandatesh jo më të vogël se numri i partive pjesëtare të koalicionit, ose kur zotërojnë bashkërisht në këshillin përkatës një numër mandatesh jo më të vogël se numri i partive pjesëtare të koalicionit”.