Institucionet e Bashkimit Evropian (BE) siguruan marrëveshje për të rritur objektivat e tyre në përdorimin e energjisë së rinovueshme si pjesë e planit të tyre për të luftuar me ndryshimin klimatik dhe për t‘i dhënë fund varësisë nga karburantet fosile ruse.
Këshilli Evropian njoftoi se u arrit dakordim për rregulloren e energjisë së rinovueshme të negociuar mes vendeve anëtare dhe Parlamentit Evropian (PE). Deri në vitin 2030 do të rritet në 42.5 për qind pjesa e burimeve të ndryshme të rinovueshme të tilla si era dhe dielli në konsumin total të energjisë së BE-së.
Në situatën aktuale, objektivi i BE-së për energjinë e rinovueshme ishte në nivelin e 32 për qind për vitin 2030. Me marrëveshjen kjo normë është rritur. Sipas të dhënave të fundit, pjesa e burimeve të rinovueshme në konsumin total të energjisë në vendet e BE-së është 22 për qind.
Gjithashtu të gjitha vendet anëtare të BE-së do të sigurojnë kontribut për objektivin e përbashkët të burimeve të rinovueshme. Objektiva do të vendosen edhe në fushat e tilla si transporti, industria, ndërtesat dhe ngrohja.
Vendet e BE-së do të rrisin në 29 për qind pjesën e rinovueshmërisë në energjinë total të përdorur në sektorin e transportit. Ndërkohë industria do të rrisë përdorimin e saj të energjisë së rinovueshme në masën 1.6 për qind në vit. Deri në vitin 2030, 42 për qind e hidrogjenit të përdorur në industri do të sigurohet nga karburantet e rinovueshme jo biologjike dhe deri në vitin 2035 do të sigurohet 60 për qind e tij.