Ish-dhëndri i Jozefina Topallit, Luiz Ejlli, që e nisi si këngëtar e përfundoi “diplomat” në Paris falë martesës me vajzën e ish-kryeparlamentares së atëhershme, u kthye papritur në “shpresë” për opozitën e Sali Berishës.

Kjo, duke qenë se Ejlli u kthye në mënyrë të habitshme në një nga personazhet më popullor në vend, për shkak të pjesmarrjes në Big Brother.

Ngritja e një dollie e tij për Sali Berishën pastaj, ekzaltoi mbështetësit e këtij të fundit, madje dhe vetë Sali Berishën, që nisi dhe identifikohej pikërisht me Luiz Ejllin dhe të fliste e uronte këtë të fundit në daljet e tij publike.

Madje në protestën e fundit të Berishës, kishte dhe pankarta me emrin e Luiz Ejllit.

Është e habitshme se si një personazh i tillë, u kthye në shpresë për opozitën, por me sa duket kishin nevojë për një figurë “fitimtare”, duke qenë se kanë vite të tëra që identifikohen me humbjen.

Por edhe ai, si të gjithë tashmë, duket se e ka “tradhtuar” Berishën.

Një ditë më parë ai e ka krahasuar veten me Edi Ramën, që vetëm fiton.

“E treguam veten. Jemi bërë si Edi Rama, s’na mund kush në zgjedhje”, tha ai.

Portali i Zenit natyrisht ia ka fshehur këtë lajm Doktorit dhe mbështetësve të tij, se boll halle dhe zhgënjime kanë pasur këto ditë.