02 Mars, Tiranë- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, i është përgjigjur opozitës për çështjen “McGonigal”, duke i konsideruar ato gënjeshtra dhe konspiracione politike.

“U bë javë që jeni kapur si i mbyturi pas fijes së kashtës, me një histori të cilën as kryeministri, as qeveria dhe edhe asnjë shtetas shqiptar nuk figuron gjëkundi. Ju e dini mirë këtë, por nuk ju intereson. Sepse juve ju intereson të mbushni mendjen e njerëzve me gënjeshtra, për gjoja konspiracione kundër jush.
Doni t’u thoni se ju jeni viktima të komploteve dhe jo shkaktarët e ngjarjeve më të zezë, që i keni sjellë dhe kaq shumë vuajtje këtij populli. Aleatët tanë strategjikë, SHBA si dhe Britania e Madhe kanë dhënë verdiktin e tyre për pengmbajësin e grupit demokrat, duke e shpallur të padëshirueshëm, për korrupsion dhe minim të demokracisë”,- theksoi Manastirliu.

Nisur nga ngjarja e rëndë që ndodhi ditën e djeshme, Manastirliu u ka tërhqur vëmendjen deputetëve të opozitës për agjenden që duhet të kishte sot Kuvendi, për të shumfishuar përpjekjet për dhunën  ndaj grave dhe vajzave.

“Sot duhet të ishte një tjetër axhendë në rendin e ditës, të bëheshim bashkë për të shumëfishuar përpjekjet në luftën kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, por qartazi kjo ju nuk ju intereson, nuk ju interesojnë hallet e njerëzve, nuk ju intereson lufta ndaj fenomeneve përkundrazi nxisni gjithnjë e më shumë gjuhën e urretjes”,- u shpreh Manastirliu.

Manastirliu ka theksuar se si në çdo nismë edhe këtë herë PD do të deshtojë me sukses.
“Padyshim që doni të gjeni alibi, por për të gjetur alibi për damkat që ju I keni marrë, për shkak të gjurmëve që keni lënë pas, kur keni qeverisur këtë vend tashmë është e ditur, e ditur nga të gjithë. As kësaj herë  ashtu si përherë ju nuk do tju funksionojë, do të dështoni me sukses”,- tha Manastirliu.