Avokati Idajet Beqiri ishte i ftuar në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në Dritare TV ku rrëfeu disa të pathëna nga ‘97-ta e tmerrshme. Beqiri foli edhe për kohën kur ishte në burg, para se të ndodhte ‘97-ta.

Në një moment avokati tregoi se çfarë bisedoi me Fatos Nanon, ndërsa ishin në një qeli, para se t’i merrnin e t’i largonin nga burgu i Bënçës.

“Një natë deri në orën 2 kam ndenjur me Fatos Nanon. Kishte sjellë ndihmësoficeri një shishe raki fshehur, edhe Nano po e kishte qejf atë të shkretë raki edhe po bisedonim.

Dëgjuam një zhurmë të tmerrshme helikopteri mbi burg. Thamë se u shkul burgu. Erdhi me vrap ai ndihmësoficeri, më nxori nga qelia e Nanos dhe me çoi te imja.

Mirëpo në momentin që ai do më çonte te qelia, kishim biseduar me Nanon. Ai më tha se ka rrezik që të na heqin nga ky burg, kishte informacione. Unë i thashë se heqja do të thoshte eliminim, vrasje.

Nuk do pranosh i thashë se ka ligj ndërkombëtar që nuk largohesh nga qelia pa ta siguruar jetën familjarët e tu. Prandaj rezisto i thashë, se je kreu i opozitës. Jo, jo, tha, nuk largohem kurrë

Ishte ora 4 e mëngjesit, kur shiko unë helikopteri iku, mbaroi zhurma. Vjen ndihmësoficeri, më thotë që e morën Nanon.

Më tha që, thuaji Idajetit është për mirë. Pas tre orësh që morën Fatos Nanon, vjen helikopteri tjetër, ku më futën mua, ish-kryetarin e Gjykatës se Lartë, Aranit Çelën, ish-prokurorin e Përgjithshëm Rrapi Minon, ish-ministrin e Brendshëm Hajredin Shytin.

Ne shikonim vetëm pilotin, të tjerët ishin forca ushtarake me maska, të armatosur. Na morën dhe nuk e dinim ku do na çonin. Nuk kishe fuqi të kundërshtoje, ata na rrëmbyen dhe na futen ne helikopter”, u shpreh Beqiri.