El Clasico e së dielës mes Barcelonës dhe Real Madrid në Camp Nou është padyshim kryesfida e javës së 26-të në LaLiga. Katalanasit do të zbresin në fushë si kryesues të kampionatit teksa i gëzohen faktit edhe se kanë një avantazh me nëntë pikë ndaj madrilenëve.
Në konferencë për shtyp trajneri i Barçës, Xavi Hernandez u shpreh se skuadra e tij do të kërkojë të dominojë lojën nëpërmjet stilit të saj për të pasur nën kontroll topin, edhe pse në takimin e fundit në Kupën e Mbretit ndodhi e kundërta me Los Blancos që ishin më mirë në zotërimin e topit. Nga ana tjetër, Xavi shtoi se nuk e ka problem ta fitojë një ndeshje me rezultatin 1-0, edhe pse i pëlqen më shumë rezultati 5-4.
“Real Madrid do të kërkojë të dominojë lojën, këtë bënë edhe në ndeshjen e Kupës. Por, unë nuk e planifikoj ndeshjen me mendimin se do të na dominojë kundërshtari. Kërkojmë të dominojmë ne nëpërmjet kontrollit të topit. Unë personalisht preferoj ta fitoj një ndeshje me rezultatin 4-0 ose 5-4, por çfarë problemi keni edhe nëse fitojmë 1-0 si në Kupë? Kupën e parë Europiane, Barcelona e ka fituar 1-0 me një gol të Koeman dhe nuk pati asnjë kritikë.
Kundër Realit e kemi treguar se luajmë mirë edhe me topin në zotërim, por edhe pa e pasur në kontroll atë. Nëse i bëjmë mirë të dyja, për mua nuk ka asnjë problem. Do të mundohemi të dominojmë dhe të kemi topin në kontroll pasi e pa pasur atë vuan shumë në fushë. Pres një Madrid ofensiv, kjo do të ishte më e mira edhe për ata. Megjithatë, Barcelona nuk e ndryshon stilin e saj”, përfundoi Xavi.