Shqipëria ka bërë progres në luftën kundër korrupsionit, ndërsa qeveria shqiptare ka implementuar masat e shërbimeve elektronike për të përmirësuar transparencën dhe reduktuar mundësitë për korrupsion.
Kështu vlerëson Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e fundit për të Drejtat e Njeriut ku veçohet përparimi i organeve të reja të drejtësisë në Shqipëri.
Raporti sjell si shembull hetimin dhe ndëshkimin e zyrtarëve të lartë për të treguar përparimin që vendi ka bërë në përballjen me kulturën e pandëshkueshmërisë.
“Organi i Specializuar Kundër Korrupsionit dhe sistemi i drejtësisë vazhduan të bëjnë progres të rëndësishëm përgjatë vitit duke hetuar, ndjekur penalisht dhe dënuar zyrtarët e lartë dhe kriminelët e që u përfshinë në korrupsion. Qeveria zbatoi masat e shërbimeve elektronike për të përmirësuar transparencën dhe për të reduktuar mundësitë për korrupsion. Prokurorët bënë përparim në përballjen me kulturën e vjetër të mosndëshkimit në vend”, thuhet në raport.
“Në tetor 2021, qeveria konsolidoi të gjitha agjencitë parandaluese kundër korrupsionit nën një Drejtori Kundër Korrupsionit në varësi të Ministrisë së Drejtësisë. Agjencitë raportonin më parë në zyrën e kryeministrit. Drejtoria Kundër Korrupsionit raportoi se hetimet kanë rezultuar me 261 masa administrative ndaj zyrtarëve/punonjësve dhe kallëzime të tjera penale janë referuar për ndjekje penale”, shkruhet më tej në raport.