Nxitja e shoqes i shpëtoi jetën Agni Titeli, studentes greke e cila ishte pasagjere në vagonin e fundit të trenit që u përplas në Tempi në Greqi.

Studentja hipi në tren nga Athina për të shkuar në Selanik. Siç tregon ajo, fillimisht do të hipte në vagonin e dytë, por shoqja i kishte thënë që të ‘ulej tek i fundit, pasi kishte një parandjenjë të keqe’.

“Zakonisht ulem përpara dhe për herë të parë ulem në fund, ndihem jashtëzakonisht me fat, si fëmijët që shpëtuan, është fat, nuk mund ta përshkruaj ndryshe”, thotë vajza.

“Nuk mund ta imagjinoj se çfarë kanë kaluar ato që ishin në vagonin e parë. Më në fund treni ndaloi, panik, tym, edhe në vagonin e shtatë kishte tym, mbante erë djegie dhe të gjithë na bërtisnin të dilnim” , shton ajo.

“Kur dola isha në një tunel, dera u hap dhe dola nga paniku, na trembën sepse na tregonin për rrezikun e një shpërthimi. Unë dal jashtë, e nxirë, nuk e kisha idenë se çfarë kishte ndodhur, thjesht menduam se treni kishte dalë nga shinat.

Nuk mund t’i përshkruaj britmat e njerëzve, bërtisnin se po digjen, shkova atje pashë shumë zjarr, na thoshin të largoheshim dhe unë u largova nga ana tjetër”.

“Policia erdhi menjëherë, shumë shpejt, pastaj zjarrfikësja dhe ambulanca, u nisëm me autobusë në orën 2. Mendova se mund të vdisja, mora babin, pata sulme paniku. Nuk kam fjalë për djemtë që na ndihmuan”.

E reja tha se nuk e di nëse do të mund të hipë sërish në tren, duke shtuar se e ka të vështirë të qëndrojë më vetëm.