Anton Kosteri, avokati i 25-vjeçares Diana Bahçja e cila u arrestua vetëm disa ditë pasi lindi fëmijën tha në një intervistë se ajo ishte denoncuar për braktisje të fëmijës së parë nga ish-vjehrrit.
Ai tregoi se pas nisjes së procedurave nga Gjykata e Tiranës, të gjitha njoftimet janë dërguar në shtëpinë e ish-burrit, ndaj 25-vjeçarja nuk ka pasur asnjë dijeni për gjobën ndaj saj që më tej u konvertua në burg.
“Diana ka qenë e martuar në një fshat të Matit, ku lindi një vajzë. Bashkëshorti ishte në emigrim.
Kur fëmija ishte 8 muajsh, si pasojë e dhunës, është larguar nga banesa dhe më pas vjehrri dhe vjehrra e kanë denoncuar për braktisje të fëmijës.
Duke qenë se viktima ishte një i mitur, çështja i ka kaluar Gjykatës së Tiranës që kishte seksionin për të mitur.
Gjykata e Tiranës ka pezulluar për 1 vit gjykimin dhe më pas e ka rifilluar. Asnjë njoftim nuk i ka shkuar në shtëpi Dianës, pasi njoftimet janë çuar në shtëpinë e ish-bashkëshorti, përfshi gjobën.
Nuk është informuar asnjëherë për dënimin”, tha avokati.