Panorama Tv ka siguruar dëshminë e Dan Hutrës për hetuesit, i cili ka rrëfyer dinamikën e ngjarjes së rëndë dhe planin horror të përgatitur.
40-vjeçari ka rrëfyer se në fillim donte të vriste 40-vjeçaren në Astir duke e prerë me thikë në fyr, por u largua për shkak se në dyqan u futën njerëz të tjerë. Sipas tij, ajo i kishte borxh 80 mijë euro dhe s’donte ta qëllonte me armë për shkak se nuk realizonte dot krimet e tjera.
Sa përket vrasjes së ish-kunatës së tij dhe nuses së familjes Hysa, serial-killeri tha se donte të vriste ish-vjehrrin por duke qenë se nuk e gjeti në shtëpi qëlloi ndaj grave.
Më pas është larguar nga aty për të shkuar tek viktima e radhës dhe rrugës është ndeshur me makinat e policisë që po shkonte drejt skenës së krimit në Paskuqan.
Ai tregoi se donte të vriste vëllain e Vladimir Kurtit, por duke qenë se ai nuk ishte aty i vrau të motrën.
“Kisha dy objektivë, vëllain e Vladimir Kurtit dhe një person tjetër që i ka dhënë pistoletën vrasësit të babait tim para 23 vitesh. Duke qenë se e kisha më afër dhe nuk kishte trafik shkova te shtëpia e Vladimir Kurtit”, tha 40-vjeçari.
Më pas shkoi drejt Kombinatit ku do kryente një tjetër krim. Dan Hutra dëshmoi se pas vrasjes së katërt, do vetëdorëzohej.
Dëshmia e plotë:
Planin e kisha të përgatitur dhe kisha 4 objektivë për të vrarë. Në fillim doja të vrisja 40 vjeçaren në Astir, të cilën doja ta prisja në fyt, por u largua dhe në dyqan u futën njerëz të tjerë.
Doja ta vrisja sepse më kishte 80 mijë euro borxh. Nuk doja ta qëlloja me armë sepse më pas nuk realizoja dot vrasjet e tjera. Më pas shkova në Kodër-Kamez, sepse doja të vrisja ish-vjehrrin por duke qenë se nuk e gjeta më shtëpi, kam qëlluar ndaj grave. Pasi më mbaruan plumbat nxora thikën dhe sulmova me thikë. Më pas kisha dy objektivë, vëllain e Vladimir Kurtit dhe një person tjetër që i ka dhënë pistoletën vrasësit të babait tim para 23 vitesh. Duke qenë se e kisha më afër dhe nuk kishte trafik shkova te shtëpia e Vladimir Kurtit.
U futa në banesë dhe nuk gjeta njeri, po kërkoja vëllain e Vladimir Kurtit. Kur dola në oborr thirra: a ka njeri këtu? Dhe doli motra e tij. Qëllova ndaj saj, ndërsa ndaj nënës nuk qëllova vetë, sepse nuk doja ta vrisja. Vrasjen e bëra sepse kisha sherr me vëllain e saj në burg dhe e kisha paralajmëruar.
Mora makinën dhe u largova drejt Sharrës dhe rrugës jam ndeshur me disa patrulla policie te cilat shkonin drejt vendngjarjeve. Kur arrita në Kodër po prisja ardhjen e objektivit tjetër. Pas kryerjes së vrasjes së 4 unë do dorëzohesha vetë dhe do shkoja në burg.