Zbardhet dëshmia e Elena Hysës, e cila dje u plagos nga Dan Hutra. Ish-bashkëjetuesja e Hutrës, në kallëzim e saj ka rrëfyer dhunën barbare fizike dhe psikologjike që 40-vjeçari ushtronte ndaj saj. Në dosjen e siguruar nga gazetarja Klodiana Lala për BalkanWeb 25-vjeçarja ka rrëfyer në detaje abuzimin dhe se si Hutra e trajtonte atë si ‘skllave’.
Sipas dosjes, thuhet se dhuna kishte nisur 1muaj pas fejesës së saj me Hutrën.
“Një muaj pas fejesës, nisa bashkëjetesën me të”, është shprehur e reja. Ajo ka deklaruar në kallëzimin e saj disa episode ku është dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht nga ky shtetas në ditë të ndryshme dhe është trajtuar si shërbëtore nga ai. Elena Hysa ka pohuar se i fejuari i saj i kërkonte që t’i hiqte dhe t’i vishte çorapet nga këmba, mëngjesin dhe kafen t’ia çonte te krevati. Kallëzuesja ka pohuar se është goditur me shpulla në prezencë të nënës së tij, Mislime Hysa. Gjatë gjithë bashkëjetesës, e reja ka rrëfyer se i është ndaluar të dalë nga shtëpia dhe nuk është lejuar që të qëndrojë në asnjë moment e vetme brenda mureve të banesës.
“Pas disa ditësh ka pasur disa shqetësime shëndetësore dhe së bashku me vjehrrën e saj kanë shkuar në farmaci ku kanë marrë një test shtatzënie. Pasi e ka aplikuar, ka rezultuar pozitiv dhe menjëherë ka telefonuar Danin për t’i dhënë lajmin. Ai e ka pritur shumë mirë lajmin dhe kanë organizuar një darkë familjare, ku kanë qenë të ftuar të dy familjet. Pas kësaj ata kanë bërë një eko barku dhe disa analiza. Në mbrëmje Dai ka komunikuar me spitalin, ku ka marrë rezultatin e analizave, por nuk ka treguar gjë. Në mëngjes Dani i ka thënë; më ke hy në gjak”, por nuk ka treguar arsyen. Ai i kishte thënë familjarëve të tij se Elena ishte e sëmurë dhe jo shtatzëne, pasi ato e telefonin për të pyetur se si ishte gjendja. Duke u ndodhur në të tillë situatë, kallëzuesja është larguar nga banesa dhe ka shkuar te prindërit. Atje më pas ka vajtur shtetasi Dan Hutra, duke iu drejtuar babait të saj me shprehjen; Dua kokë njeriu, do shkojë gjaku deri në gju sepse vajza juaj më ka ikur nga shtëpia””, thuhet në dosje.
Ai ka kërkuar mes të tjerash dhe 4 mijë euro që kishte shpenzuar për fejesën. Nëna e saj, Kujtime Hysa i kishte kthyer Danit 1850 euro, ndërkohë që ai kishte kërkuar pjesën tjetër. Ndërkohë, për këto akuza, Hutra ka vuajtur dënimin me 8 muaj burg, ndërsa është liruar më 16 shkurt.