Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR) reagoi sot pas vendimit të Autoritetit të Konkurrencës për ndalimin e zbatimit të aktmarrëveshjes së 13 shkurtit, në lidhje me përcaktimin e tarifës së pagesës dhe kostos minimale fiskale për përgatitjen dhe pajisjen me leje drejtimi.
DPSHTRR përmes një deklarate bën të ditur se se objekti i marrëveshjes me Tatimet dhe autoshkollat është njohja ndërmjet palëve, me tarifën e pagesës, si dhe vlerësimi i kostos minimale fiskale referuese, për përmbushjen e programit të edukimit për përgatitjen për drejtues mjeti dhe pajisjen me kategoritë e lejedrejtimit: AM, A1, A2, A, B1, B, BE, C1, C, C1E, CE, D1, D, D1E, DE; për përgatitjen për rimarrjen e leje së drejtimit pas humbjes totale të pikëve ose për heqje të saj, si dhe përgatitjen për pajisjen me dëshmitë dhe certifikatat e aftësimit profesional”, dhe jo përcaktimi i tarifës së pagesës dhe kostos minimale fiskale për përgatitjen dhe pajisjen me lejedrejtimi. “Tarifa dhe kostoja janë referuese dhe jo përcaktuese, për garantimin e zbatimit të detyrueshëm të kushteve të barabarta në mësimdhënie. “Synim i kësaj marrëveshje është pikërisht shmangia e rrezikut eminent dhe dëmit të rëndë dhe të pariparueshëm që po i bën konkurrenca e pandershme sektorit të autoshkollave”, thuhet në deklaratën e DPSHTRR-së.
Sipas DPSHTRR-së, marrëveshja angazhon palët për dhënien fund të evazionit dhe fiktivitetit, duke kërkuar reformim total të aktivitetit të subjekteve të autoshkollave dhe raporteve me qytetarin, në mënyrë që ky i fundit të mos mashtrohet, por edhe të mos përfshihet nga një shërbim që thyen normat, që i shmanget programit zyrtar të detyrueshëm dhe që gjeneron evazion, informalitet dhe rrezik potencial në qarkullimin rrugor. “Qëllimi i marrëveshjes është sinergjia për t’i dhënë fund një tregu të pandershëm, që ka abuzuar mbi shërbimin e mësimdhënies për drejtimin e rregullt të një mjeti rrugor, për t’i shërbyer direkt interesit publik”, thuhet më tej.
DPSHTRR thotë se i qëndron pozicionit të marrjes dhe ushtrimit të përgjegjësive ligjore. “Sfida e standardeve për sigurinë rrugore tejkalon çdo qëndrim hezitues e kompleks burokratik. DPSHTRR vijon e palëkundur punën për reformimin e sektorit të autoshkollimit, komponent kryesor i Automotorizimit Shqiptar, me rëndësi jetike për sigurinë publike dhe shoqërinë. Mbikëqyrja e këtij sektori, mbetet sfidë institucionale në nivel kontrolli administrativ dhe fiskal”, thuhet në deklaratë.