Banorët e Dukagjinit u ngritën dy ditë më parë në një protestë për herë të dytë brenda pak ditëve për të kërkuar ndërtimin e rrugës që lidh Shkodrën me njësitë vendore Pult, Shosh dhe Shalë të kësaj krahine.

Pas kësaj proteste pati një reagim të mazhroancës, fillimisht me deputetin Benet Beci i cili shprehu mbështetjen ndaj banorëve, ndërkohë që Bashkia e Shkodrës nënvizonte në një reagim se çdo investim dhe punë ‘e pakryer’ vjen si pasojë e “bllokadës” nga qeveria.

Ndërkohë që ministrja Elisa Spiropali, që është edhe e deleguar e PS-së në këtë qark, ka dhënë sot lajmin e mirë se është gati projekti për ndërtimin e rrugës me financim të qeverisë qendrore.

“Bashkë me Benetin, prefekten Majlinda Angoni dhe drejtorin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit Dritan Agolli, biseduam shtruar me përfaqësues të grupit organizator të protestës së drejtë për rrugën e Dukagjinit. Dukagjini është një thesar sa i njohur po aq i pazbuluar, i Shkodrës dhe i Shqipërisë. Për shkak të potencialit natyror, turistik dhe zhvillimor, ndonëse rruga është në inventarin e Bashkisë Shkodër, Fondi Shqiptar i Zhvillimit me financimin e Qeverisë???????? ka bërë të mundur hartimin e projektit teknik”, shkruan Spiropali në Facebook.

Ajo thotë se prezantimi i projektit do të zhvillohet në një takim të zgjeruar në fillim të muajit prill dhe kostoja e realizimit të këtij investimi madhor po negociohet si pjesë e paketave të financimit të donatorëve ndërkombëtarë, në kuadër të një programi zhvillimi për Alpet dhe rajonin e Shkodrës.