Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili po kandidon për një mandat të tretë radhazi në zgjedhjet e majit, shënon të martën 20 vjet në pushtet. 69-vjeçari, i cili shërbeu si kryeministër nga viti 2003-2014 dhe më pas si president, filloi si një reformist që zgjeroi të drejtat dhe liritë, duke bërë të mundur që vendi i tij me shumicë myslimane të fillonte negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Por më pas ai ndryshoi kurs, duke shtypur kundërshtarët, duke ndrydhur median dhe duke miratuar masa që gërryen demokracinë. Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të 14 majit, mund të jenë më sfidueset për zotin Erdogan. Ato do të mbahen mes trazirave ekonomike dhe inflacionit të lartë, vetëm tre muaj pas një tërmeti shkatërrues që shkaktoi vdekjen e dhjetëra–mijëra personave.

U hedhim një vështrim disa prej momenteve kryesore të karrierës politike të Presidentit Erdogan:

27 Mars 1994: Erdogan zgjidhet kryetar bashkie i Stambollit, si kandidat i Partisë pro-islamike të Mirëqenies.

12 Dhjetor 1997: Erdogan dënohet për “nxitje të urrejtjes” për leximin e një poezie që sipas gjykatës bie ndesh me parimet laike të Turqisë dhe dënohet me katër muaj burg.

14 Gusht 2001: Erdogan, i cili bashkë me anëtarë të tjerë të krahut të saj reformist, u shkëput nga Partia e Mirëqenies, formon Partinë Konservatore për Drejtësi dhe Zhvillim, ose AKP.

3 Nëntor 2002: Një vit pas themelimit, AKP fiton shumicën parlamentare në zgjedhjet e përgjithshme. Megjithatë zotit Erdogan i ndalohet të kandidojë për shkak të dënimit ndaj tij.

9 Mars 2003: Erdogan zgjidhet në parlament në votime të pjesshme, pasi i hiqet masa e ndalimit për t’u përfshirë në politikë.

14 Mars 2003: Erdogan zëvendëson kolegun e tij të AKP-së, Abdullah Gul si kryeministër.

3 Tetor 2005: Turqia fillon bisedimet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian pasi qeveria e zotit Erdogan prezanton një sërë reformash.

22 Korrik 2007: Erdogan fiton 46.6% të votave në zgjedhjet e përgjithshme.

31 Mars 2008: Gjykata Kushtetuese pranon një aktakuzë që kërkon ndalimin e AKP-së për dyshime për veprime që bien ndesh me shtetin laik. Gjykata përfundimisht vendos të mos ta ndalojë partinë, por të shkurtojë fondet shtetërore për partitë politike.

20 Tetor 2008: Fillon gjyqi i parë në një seri procesesh kundër oficerëve të ushtrisë, ligjvënësve dhe figurave publike. Të dyshuarit akuzohen për komplot për të përmbysur qeverinë, dhe gjyqet rezultojnë të jenë të sajuara, të bazuara në prova të rreme me synimin për të eliminuar kundërshtarët e zotit Erdogan. Më pas për gjyqet iu hodh përgjegjësia rrjetit të klerikut me bazë në SHBA, Fethullah Gulen.

12 Shtator 2010: Erdogan fiton një referendum mbi ndryshimet kushtetuese që lejojnë qeverinë të emërojë gjyqtarë të lartë, të dobësojë kompetencat e ushtrisë dhe garantojnë që presidentët të zgjidhen nga një votë kombëtare dhe jo nga parlamenti.

12 Qershor 2011: Erdogan fiton zgjedhjet e përgjithshme me 49.8% të votave.

28 Maj 2013: Shpërthejnë protesta antiqeveritare mbarëkombëtare mbi planet për të prerë pemët në parkun qendror Gezi të Stambollit. Protestat më të mëdha ndonjëherë në Turqi rezultojnë në tetë të vdekur, ndërsa qeveria akuzohet për përdorimin e forcës së tepruar kundër protestuesve.

10 Gusht 2014: Erdogan fiton zgjedhjet presidenciale të zhvilluara për herë të parë me votim nga populli. Edhe pse roli i presidentit është më shumë ceremonial, ai akuzohet për tejkalim të kompetencave dhe ndërhyrje në drejtimin e vendit.

7 Qershor 2015: Partia për Zhvillim dhe Drejtësi, e udhëhequr nga Ahmet Davutoglu, pasi zoti Erdogan mori detyrën e presidentit, humbet shumicën në zgjedhjet parlamentare dhe detyrohet të kërkojë koalicion.

1 Nëntor 2015: Partia për Drejtësi dhe Zhvillim arrin të rimarrë shumicën parlamentare në zgjedhjet e përsëritura pas muajsh të tërë pasigurie, përfshirë sulme vetëvrasëse nga grupi i Shtetit Islamik dhe rindezjen e konfliktit me militantët kurdë.

15 Korrik 2016: Qeveria e zotit Erdogan i mbijeton një grushti shteti për të cilin mbahen përgjegjës mbështetësit e klerikut me banim në SHBA, Fethullah Gulen, një ish-aleat i zotit Erdogan. Grushti i dështuar i shtetit shkaktoi 290 viktima. Qeveria fillon të godasë në shkallë të gjerë lëvizjen e zotit Gulen, arreston dhjetëra mijëra mbështetës dhe largon nga puna 130,000 të tjerë. Shumë media dhe organizata joqeveritare mbyllen dhe goditja më pas shtrihet tek kritikët, përfshirë ligjvënësit kurdë dhe gazetarët. Përballë dobësimit të demokracisë, bisedimet për anëtarësim të Turqisë në BE, që kanë shënuar pak përparim, pezullohen.

16 Prill 2017: Përmes një referendumi me rezultat të ngushtë, votuesit miratojnë ndryshimin e sistemit politik të vendit nga demokraci parlamentare në sistem presidencial, duke dobësuar postin e kryeministrit dhe duke e përqendruar shumicën e pushtetit në duart e presidentit. Kritikët e quajnë sistemin si “pushteti i një njeriu të vetëm”.

24 Qershor 2018: Erdogan fiton zgjedhjet presidenciale me 52.59% të votave duke u bërë presidenti i parë i Turqisë me fuqi ekzekutive, ndërsa falë aleancës me një parti nacionaliste, partia e tij arrin shumicën në parlament.

22 Qershor 2019: Partia e zotit Erdogan humbet thellë në zgjedhjet për bashkinë e Stambollit. Zgjedhjet u përsëritën pas kontestimeve mbi procesin e zhvilluar në muajin mars, në të cilat fitoi me një rezultat të ngushtë kandidati i partisë kryesore opozitare. Kjo ishte hera e parë që prej vitit 1994 kur fitoi kandidati i zotit Erdogan, që partia e tij humbet drejtimin e qytetit më të rëndësishëm të Turqisë.

6 Shkurt 2023: Një tërmet i fuqishëm godet Turqinë dhe Sirinë dhe shkakton më shumë se 48,000 viktima në Turqi. Qeveria e zotit Erdogan kritikohet për reagimin e dobët pas tërmetit dhe për dështim të politikave në marrjen e masave për përballimin e një tërmeti në shkallë të gjerë.(Voxnews)