Nga Monika Stafa/
Liria është një ndjesi e brendshme që gjithkush nga ne kush nuk e dëshiron?!
Pavarësisht se nuk jemi gjithmonë të vetëdijshëm për rreziqet që ajo mbart.
Sepse të jesh i lirë do të thotë gjithashtu, të kuptosh se liria ka dhe caqet e saj. Ajo mbaron aty ku fillon liria e tjetrit. Të jesh i lirë do të thotë të marrësh përgjegjësi gjithashtu.
Një gabim apo një vendim i keq i çdokujt, mund të bëjë që bota rrotull nesh befas të përmbyset. Por jo vetëm ajo.
Dhe vetëm kur zgjohemi, mund të kuptojmë se ajo që cmojmë më shumë, na është marrë…
Ndoshta kjo është arsyeja përse romani “Asgjë të re nga fronti i perëndimit” mbetet ende një nga kryeveprat e shkruara në gjuhën gjermane. Një roman tërësisht kundra luftës dhe cfarë ajo pjell.
Por si nisi lufta?
Në fillim të shekullit të 20-të, njerëzit mezi e prisnin luftën. Ishte një periudhë ndryshimesh radikale dhe pasigurie. Progresi teknologjik diktoi ritmin; u ngritën fabrika, u shpikën makinat e bashkë me to edhe dhjetra zbulime të tjera shkencore. Në shoqërinë ku dominonin burrat kishin nisur krisjet e para. Gratë po rebeloheshin kundër roleve të përcaktuara dhe po kërkonin më shumë të drejta.
Shumë menduan se lufta, mund të ishte një forcë që do të ndalonte ose mund të ngadalësonte ndryshimin. Njerëzit e nisën si një festë shpërthimin e Luftës së Parë Botërore në verën e vitit 1914 dhe besonin vërtet se do të ktheheshin në shtëpi për Krishtlindje.
Por nuk ndodhi kështu.
Në vijën e parë të frontit nuk arrin të flesh kurrë. Të katërt shokët ishin nëntëmbëdhjetë vjeç kur vendosën të shkojnë në llogore ndërsa asgjë nuk dinin për to.
Në luftë nevojtoret janë të përbashkëta. Aty s’ka dyer dhe njëzet vetë mund të rrinë pranë e pranë, si në tren. Vetëm kështu ushtarët mund t’i përfshish me një vështrim e t’i kontrollosh vazhdimisht.
Sepse në luftë nuk ka liri. Ka disiplinë.
Nuk ka ide. Sepse ka sistem. Në luftë ushtarët lexojnë letra dhe gazeta.
Pinë cigare ndërsa era lodron me fjalët dhe mendimet e tyre. Nën ethet e frontit çdokush cmendet njëherë. Ndaj dhe për shoku- shokun duhet kujdes.
Por si mund ta kesh kujdes dikë në luftë?!
Për të rinjtë lufta të merr përpara sic të merr rrjedha e lumit. Ndërsa për të moshuarit lufta është një pengesë në kohë. Ata janë në gjendje ta cojnë mendjen edhe përtej saj.
Në luftë vetëm një gjë është e kuptueshme, në një mënyrë të çuditshme dhe të trishtuar njerëzit bëhen të vrazhdë dhe aty harron të mallëngjehesh.
Në luftë nuk ka dashuri. Dhe një palë çizme të mira janë një gjë e rrallë.
Ja që njerëzit nuk e kishin idenë e asaj që po vinte. Më të arsyeshmit ishin padyshim njerëzit e varfër dhe të thjeshtë; ata qysh në fillim e quajtën luftën një fatkeqësi.
Ata ishin disa të rinj që u besonin deri në fund mësuesve të tyre. Por deri në një farë kohe.
Sepse i vdekuri i parë që ata panë e kish bërë pluhur e hi këtë bindje. Duke krijuar kështu një mendim tjetër që brezi i ri ishte më i ndershëm se i tyre.
E megjithatë kjo nuk i bëri ata rebelë e as dezertorë. Porse tani dinin të bënin dallimin. Kishin mësuar të shihnin. Duke kuptuar se nga bota e tyre s’kish mbetur thuajse asgjë.
Paul dhe shokët e tij nuk kishin armiqësi me francezët. Ata luftojnë sepse u thuhet të luftojnë ndaj dhe nuk duan të vdesin.
Remark i përshkruan aq magjishëm trazirat e luftës në roman ngase ai vetë luftoi në front për një kohë të shkurtër. Në vitin 1916 u thirr në luftë, por u plagos menjëherë dhe u transferua pranë të sëmurëve ushtarakë. Atje, dëgjoi historitë e ushtarëve të tjerë të plagosur rëndë duke mbajtur shënime, të cilat më vonë u shndërruan në romanin e tij me famë botërore.
“Asgjë të re nga fronti i perëndimit” u publikua në vitin 1929 dhe u bë një nga sukseset më të mëdha të letërsisë gjermane. Kritikët në mbarë botën e vlerësuan librin si një armë kundër forcave agresive të kohës.
Pak më vonë ai u kthye në një film hollivudian.
Sot ai rezulton edhe më i suksesshëm në një prurje të re kinematografike e po aq polemizues sa dikur, duke rrëmbyer 4 cmime Oscar në mbrëmjen e madhe të Akademisë së Arteve në SHBA.
Lufta e Parë Botërore për popullin gjerman nuk është një përrallë e bukur kundra së keqes. Ajo është një histori e ngarkuar me po aq faj dhe turp.
Gjermania u zgjua pas kësaj lufte. Por jo aq e kthjellët me 20 milion të vdekur dhe 21 milion të plagosur.
Ndoshta për këtë arsye ajo nuk çmoi asgjë nga ajo që kish humbur.
E çoroditur prej histerisë naziste, ajo shkoi në front me një kosto vdekjesh dyfish më të madhe se e para.
Në fund sërish asgjë e re nuk do të shënohej nga fronti i perëndimit.
E njëjta luftë. Të njëjtat humbje. Si edhe sot.
Njerëzit e thjeshtë.