Analisti Edvin Kulluri tha se Sali Berisha nuk mund ta regjistrojë PD-në në zgjedhjet lokale të 14 majit. Ai theksoi se kjo gjë e bën nul edhe procesin e primareve, të reklamuar me aq zell nga ish-kryeministri Berisha.
“Besoj se Celibashi, ka qenë i qartë, katër ditë më vonë, në bazë të regjistrit të partive politike , z. Berisha nuk mund ta regjistrojë PD Në emër të tij dhe të Rithemelimit. Kjo e bën nul edhe procesin e primareve. PD zyrtare, që rezulton në emër të Lulzim Bashës dhe nuk mund të regjistrohet sepse nuk ka një kryetar partie”, tha ai.
Ai theksoi se në këto kushte, duket qartë se as Lulzim Basha nuk dëshiron të regjistrojë PD në zgjedhje dhe arsyeja sipas tij është e qartë:
“Basha i bie që nuk do ta regjistrojë PD në zgjedhje, sepse do marrë një rezultat shumë të dobët. Ata janë pakicë, dhe po kthehet në një pakicë të përhershme, qoftë me z.Basha, qoftë me Berishën, qoftë bashkë, qoftë ndarazi”, tha ai.
Kulluri thekson se pas këtyre “makinacioneve”, Partia Demokratike do të humbasë zgjedhjet me një rezultat të thellë.
“Na rezulton që pas 1.5 vitesh debate dhe 4 vjet pas bojkotimit të zgjedhjeve të 2019, PD do humbi thellë zgjedhjet, jo për faj të regjimit, jo për faj të Yuri Kimit, apo për faj të alienëve, apo sebepeve që nxjerrin këta që drejtojnë PD, po e lënë popullin shqiptar pa opozitë. s’ka demokraci pa opozitë”, shtoi ai.
Analisti theksoi e Sali Berisha dhe Lulzim Basha duket se po i shërbejnë kryeministrit Rama, ndërsa këtë logjikë e përvijon si më poshtë:
“Të dy po i shërbejnë Ramës. Duke e dobësuar PD. Mund ta bëjnë dhe për shkak të papërgjegjshmërisë. PD po ndëshkohet “për krimin”, po flas për krim simbolik, sepse po përdoret për interesa të ngushta dhe nuk ka të bëjë me interesin e demokratëve, që po i nëpërkëmbin dhe po i marrin zvarrë”, tha ai.
Mes tjerash, Kulluri theksoi se shpresën në Shqipëri nuk e ka vrarë qeveria Rama, por opozita, e cila nuk e ka kryer siç duhet rolin e saj në shoqëri.
“Nuk ngrihet shtëpia me mure dhe themele të vjetra. Asaj shtëpie i kanë mbetur disa kunja. Shpresën në këtë vend nuk e ka vrarë qeveria e keqe, shpresën e ka vrarë kjo opozitë, duke copëtuar veten dhe duke e e lënë vendin pa opozitë”, shtoi ai.