Policia në Burrel ka vënë në pranga një 80-vjeçar, duke parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale. Ibrahim Lika u vu në pranga, pasi kanosi me armë shtetasin K.K, për motive pronësie.
Lika, i cili ka qenë i arrestuar më parë për vrasje, mbante një armë zjarri, me të cilën ka kërcënuar shtetasin pas konfliktit.
Shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri automatik, tre krehra, 82 fishek dhe dy granata që 80-vjeçari i mbante pa leje.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, morën njoftim se në lagjen “Pjetër Budi”, në Burrel, shtetasi I.L., i dënuar më parë për vrasje , po konfliktohej për motive pronësie dhe po kërcënonte me jetë shtetasin K.K. Gjithashtu Policia mori informacion se shtetasi që e kërcënonte dyshohet se mbante armë zjarri.
Menjëherë shërbimet e Policisë organizuan punën dhe falë ndërhyrjes së menjëhershme parandaluan përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit dhe vunë në pranga shtetasin I.L., 80 vjeç, banues në Burrel ( i dënuar më parë për vrasje). Shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri automatik, tre krehra, 82 fishek dhe dy granata që 80-vjeçari i mbante pa leje dhe kërcënonte me jetë shtetasin K.K”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e policisë.