Shkak është bërë një shkrim i gazetës së Lesit, që bënte thirrje për kthimin e Lulzim Bashës në krye të PD, pas vendimit të Gjykatës së Apelit.
Kjo gjë nuk i ka pëlqyer punonjësit të familjes Berisha, që është përpjekur të ironizojë Lesin.
“Para pak ditësh, botuesi Nikollë Lesi risolli edhe njëherë tezën e përhapur nga Edi Rama para disa kohësh, se mund të zgjidhet si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.
Sipas Lesit, Rama është shumë pranë zgjedhjes si shef i NATO-s. Lajmi i tij shkaktoi ilaritet, edhe për shkak se vendi po zien nga skandali i rëndë McGonigal, që tregon se kryeministri shqiptar ka korruptuar një njeri të rëndësishëm të inteligjencës në vendin kryesor të NATO-s.
Por ndërkohë sot, Lesi shkruan se Lulzim Basha duhet të rikthehet në krye të PD-së.
Lesi është bërë tanimë i njohur në media për parashikimet e guximshme, edhe pse nuk shqetësohet shumë nëse i dalin apo jo të vërteta.
Por nëse i përmbahemi parashikimeve të Lesit, më afër realizimit është ai që Rama të marrë drejtimin e NATO-s, sesa ai që Basha të marrë drejtimin e opozitës”, shkruan Peka.
Lesi i është përgjigjur ndërkohë, duke shkruajtur me ironi se në fakt Peka është një gazetar VIP dhe që ka bërë historinë këto vitet e fundit.
“Tashmë kur Berisha rrezikon edhe të mos regjistrohet në zgjedhje, Çim Peka një gazetar VIP dhe që duhet pranuar ka bërë histori vitet e fundit, mendon se Berisha i fiton zgjedhjet e 14 majit.
Në fakt Berisha i kishte shanset të gjënte konsensus brenda PD dhe opozitës, por analistët afër tij i thonin se “e ke të fituar Doktor!”, dhe nga ana tjetër shikonin për ndonjë kullë në Tiranë.
Berisha në raport me Bashën dhe Alibeajn është shumë lart dhe për hir të vertetës “KOHA JONE” ka thënë se vula dhe emri i PD duhet të jenë të Berishës, sepse elektorati mbetet në shumicë proSaliut. Dhe se gjykata e Apelit realisht ka kryer një krim ndaj pluralizmit.
Por ku “KOHA JONE” bënte editoriale (saktësisht me 13 maj 2022) dhe thoshte se duhet përballje dhe përplasje që tani me kryeministrin Rama e jo duke pritur me shpresën se gjykata do t’ja jepte emrin e PD dhe të drejtën për tu regjistruar në zgjedhje, ishin ata që sot vajtojnë, që thonin kudo nëpër Tiranë se “nuk ka shkon gjykatë që guxon pa ia dhënë Doktorit”.
Dhe Doktori shpresoi më kot!
Fakti ishte mbrëmë që e lanë të sillet mes sikletit se si të regjistrohet në zgjedhje, Doktorin.
Dhe se vetë Doktori e lodhi popullin me “revolucionin” që kurrë nuk u bë REVOLUCION!
E ka thënë bukur Andi Bushati dhe Fatos Lubonja: Rama nuk rrëzohet me fjalime te “Revolucioni”, por me përballje.
E fundit në raport me një shkrim të botuar sot në “KOHA JONE” nga kryeredaktori Daniel Muçaku, me dashje apo dashje “Syri.net”, ngatërron autorin duke ia veshur Lesit si botues!
Natyrisht që Çim Peka nuk mund të akuzohet për këtë deformim profesional, por kjo është si të shkruaj fjala vjen, gazetari i mirënjohur Andi Bejtja një shkrim-qëndrim dhe ne të “KOHA JONE” të themi se “Çim Peka mendon kështu e ashtu!”.
Kaq për sot”, shkruan Lesi.