Duke komentuar situatën në Partinë Demokratike, Evi Kokalari, ish- mbështetëse e Sali Berishës tha se demokratët e Rithemelimit preferojnë të bashkohen me Metën sesa me demokratët e thjeshtë të cilët për të qenë besnikë, qëndruan me Lulzim Bashën.
Ajo tha se Berisha thelloi copëtimin brenda Partisë Demokratike dhe bëri pakt me djallin duke nënkuptuar Ilir Metën, për të cilin Kokalari është shprehur se ka interesa të fshehta ndaj PD-së gjatë kësaj situate delikate. Mes të tjerash, Kokalari thekson se bashkimi do të vijë për demokratët por nuk do ta sjellë Berisha.
“D.m.th, demokratët e rithemelimit preferojnë më mirë të bashkohen me Ilir Metën se me demokratët që thjeshtë për besnikëri (e drejta e tyre), ndenjën me Lul Bashën gjate foltoreve!! Për votat nuk flas më, sepse Berisha do ta ketë trajnuar Lulin vetë dhe ju të gjithë keni fituar imunitet kundrejt abuzimit të të drejtave që keni, por faktin që preferoni Ilir Metën në vënd të gjysmës tjetër, më lë pa fjalë.
Në fakt, të vetmen gjë patriotike që Berisha duhet të bënte tashti, do të ishte të bashkonte demokratet, të shëronte plagët dhe të rindërtonte opozitën e djathtë, dhe ta drejtonte ne zgjedhjet e 14 Majit.
Ndërkohë, ai thjeshtë thelloi copëtimin dhe bëri pakt me djallin (në kuptim ideologjik por dhe duke patur parasysh interesat e Metës karshi PDsë, sidomos në një kohë kaq vulnerabile që është partia). Bashkimi do vi, për këtë mos kini asnjë dyshim, por fatkeqësisht nuk do ta sjellë Berisha”- shkruan ajo.