Prej gati një viti, FBI-ja ka nisur kontrolle në shtëpitë e njerëzve më të pushtetshëm të Amerikës. Bëhet fjalë për banesën ish-nënpresidentit Mike Pence në Indiana, atë të ish-presidentit Donald Trump në Florida. Dhe së fundmi, edhe shtëpia e presidentit aktual Joe Biden ka qenë objekt kontrolli në kuadër të një hetimi mbi ruajtjen e dokumenteve sekrete.
Të tre personalitetet e sipërpërmendur u ballafaquan me shtypin përmes avokatëve të tyre ndërsa vetë FBI nuk ka komentuar mbi kërkimet. Ajo që dihet publikisht është se në shtëpinë e Mike Pence dhe të Donald Trump janë sekuestruar disa dokumente.
Përballë kësaj situate ku Byroja Federale e Hetimit fut duart në sirtarët e banesave private të Biden, Trump dhe Pence qëndron opozita shqiptare.
Të qeshësh apo të qash, ajo prej disa javësh pretendon se Edi Rama ka blerë FBI-në. Më saktë, ka korruptuar shefin e saj përmes Agron Nezajt me një çantë me lekë në një parking.
Për t’i vënë kapak historisë, përveç akuzave se FBI ka marrë para nga Rama, opozita kërkon edhe një komision hetimor. Dhe që t’i shkohet estradës deri në fund, Sali Berisha e kërkon komisionin jo për të ndëshkuar Edi Ramën, por që provat që do të gjejë ‘Rithemelimi’, t’ia vërë në dispozicion SHBA-ve dhe t’i ndihmojë amerikanët në hetime…