Koalicioni “Forumi Shqiptar – Bashkim dhe Zhvillim”, i drejtuar nga Nik Gjeloshaj, ka fituar shumicën absolute në zgjedhjet në Tuz, të cilat u mbajtën një ditë më parë. Forumi Shqiptar ka fituar shumicën absolute, me rreth 52 për qind të votave sipas rezultateve paraprake.
Kjo fitore u ka siguruar koalicionit të forcave politike shqiptare 18 mandate në Kuvendin e Komunës së Tuzit, që do të thotë 32 vende. Pas fitores në Tuz të Malit të Zi, komunë e banuar me shumicë shqiptare në afërsi të Podgoricës, shpërtheu festa kuqezi.
Ditën e sotme, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, uroi fituesit e zgjedhjeve ndërsa shkruan se kjo fitore do t’i shërbejë zhvillimit dhe mirëqenies të shqiptarëve në Malin e Zi.
“Përgëzime koalicionit “Forumi shqiptar” dhe kryetarit të komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, për fitoren në zgjedhjet e 5 marsit! Vullneti i zgjedhësve të Tuzit do t’i shërbejë zhvillimit, mirëqenies, bashkëjetesës paqësore të komuniteteve dhe të drejtave të shqiptarëve në vendin fqinj!”, shkruan Nikolla.
Koalicioni fitues përbëhej nga Alternativa Shqiptare (AA), e drejtuar nga kryetari aktual i Tuzit, Nik Gjeloshaj, por edhe nga Aleanca Demokratike e Shqiptarëve (DSH), Unioni Kombëtar Shqiptar (UKSH) dhe Aleanca Demokratike e Malit të Zi (DSCG).
Nga 12.387 persona që kishin të drejtën e votimit, në zgjedhje morën pjesë 8245 votues ose 66.56 për qind. 69 fletë votimi ishin të pavlefshme. Koalicioni ‘Rruga e Drejtë’, i përbërë nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), Partia Boshnjake (BS), Social Demokratët (SD) dhe Bashkimi Demokratik i Shqiptarëve (DUA) morën 12 mandate. Ndërsa nga një mandat morën SDP dhe Mali i Zi Demokratik.
Që prej vitit 2018, kjo është hera e dytë që mbahen zgjedhjet lokale që nga ndarja e kësaj komune nga komuna e Podgoricës. Në zgjedhjet e para të vitit 2019, Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Milo Gjukanoviç humbi pushtetin në Tuz, e cila deri atëherë kishte një bazë të fortë elektorale dhe mbante pushtetin në këtë komunë urbane.