Dritat Jugore, ose Aurora Australis, kanë ofruar pamje mahnitëse këtë sezon në të gjithë Zelandën e Re.

Qiejt e natës të ndriçuar nga rryma të dritës jeshile dhe rozë kanë mahnitur ‘gjuetarët’ e aurorës, të cilët qëndrojnë zgjuar gjithë natën për të bërë fotografinë e përsosur.

Një vëzhgues, kampoi në Brighton Beach në Dunedin këtë javë për të bërë fotografi. Ai tha se intensiteti i dritave jugore ishte rritur shumë e më shumë, krahasuar me vitin e kaluar.

Dritat Jugore (dhe Veriore) mund të shihen rreth poleve magnetike kur atmosfera e sipërme goditet nga grimcat e ngarkuara energjike që udhëtojnë përgjatë vijave të fushës magnetike të Tokës. Kur ato elektrone energjike përplasen me gazrat në atmosferë, ato lëshojnë dritë.

Në hemisferën veriore, fenomeni quhet Aurora Borealis. Në jug, quhet Aurora Australis. Aurorat janë zakonisht të dukshme këtë kohë të vitit në të gjithë zonat jugore të Australisë dhe Zelandës së Re. Kishte një shfaqje veçanërisht intensive të premten e kaluar mbrëma sipas kohës lokale. Por vëzhguesit thonë se dritat kanë qenë kaq të ndritshme këtë vit, saqë janë parë edhe më në veri.

Megjithëse aurorat mund të ndodhin në çdo kohë, ato kanë më shumë gjasa të shfaqen në mars dhe shtator, kur orientimi i Tokës në lidhje me diellin ka më shumë gjasa të ndërveprojë me stuhitë diellore, thotë Qendra Australiane e Parashikimit të Motit Hapësinor.

Nuancat e një aurore përcaktohen nga përbërja e atmosferës. Më shumë oksigjen në ajër prodhon jeshile dhe të verdhë, ndërsa më shumë azot e bën një aurorë të duket e kuqe e errët ose blu. Në një natë të kthjellët, shfaqja e dritës natyrale mund të zgjasë nga një deri në tre orë. Fenomeni zakonisht shfaqet midis orës 22:00 dhe 02:00.