Kandidati për Kryetar Bashkie të Himarës, Fredi Beleri ka ngritur padi për shpifje ndaj kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla. Ky i fundit në një deklaratë për mediat, teksa foli për kandidatin e Rithemelimit për bashkinë e Himarës tha se është i turpshëm kandidimi i një personi të dënuar për masakrën e Peshkëpisë.

Beleri reagoi duke thënë se gjykata e Krimeve të Rënda e kishte shpallur atë të pafajshëm për masakrën e Peshkqpisë dhe shtoi se do të padiste Ballën për shpifje.

Së fundmi pasi depozitoi padinë në gjukatë, Beleri tha se ka kërkuar dëmshpërblim prej 1 milionë lekësh.

“Edhe pse e paralajmërova zotin Taulant Balla se ai do të mbajë përgjegjësi para drejtësisë për deklaratat e tij shpifëse dhe të rreme ndaj meje, ai vazhdoi të mbështesë shpifjet e tij.

Sot kam ngritur dhe depozituar padi. Me anë të së cilës kam kërkuar dëmshpërblim prej 1.000.000 lekësh të cilat do t’ia dhuroj të gjithë shumën “Shtëpisë së Foshnjës Vlorë”- deklaron Beleri.