Nga Mero Baze/

Ashtu siç pritej, Berisha po e përdor vendimin e Gjykatës për të radikalizuar përçarjen brenda Partisë Demokratike dhe për ta nënshtruar opozitën të jetë ose me atë, ose të mos ekzistojë. Edhe pse i çoroditur dhe pa asnjë substancë për vendimet që paralajmëron se do të marrë, ai është i qartë vetëm në një gjë, që pas kësaj, Lulzim Basha do të jetë dhe më shumë armik i tij dhe mbështetësve të tij. E gjithë retorika e tij në këto 24 orë pas vendimit, është vetëm urrejtje ndaj Lulzim Bashës, ambasadores amerikane dhe sa për alibi, edhe ndaj Edi Ramës.

E gjithë kjo bëhet që ai të frenojë retorikën e kundërshtarëve të tij në Partinë Demokratike, të cilët pas vendimit të Gjykatës kanë folur vetëm për bashkim dhe afrim të palëve, madje dhe për listë kandidatësh të përbashkët. Duke qenë një moment delikat për të dhe mbështetësit e tij, Berisha po shkumëzon flakë nga goja pikërisht nga frika se mos dikush nga kandidatët e primareve shkon e regjistrohet me Lulzim Bashën, duke dhënë mesazhe pajtimi.

Është pikërisht ky moment që dëshmon më së miri se Sali Berisha është përçarësi i PD dhe shumë i interesuar që PD të mos bashkohet kurrë. Atij i mjafton dhe një çetë e vogël budallenjsh pas vetes, mjafton që të duket se është kryetar i tyre. Tani në fakt nuk ka rëndësi më se çfarë do të bëjë Berisha. Atë opsionin që i hedh në gjyq në Paris e ka gjithmonë gati. Edhe në këto zgjedhje ai ka objektiv të mundë prapë Lulzim Bashën. Nuk di se si do rregjistrohet me Ilir Metën apo vetëm, por prapë objektivi është të mundë armiqtë e brendshëm.

Dhe kjo do të zgjasë gjithë jetën e tij politike dhe fizike, pasi ai nuk ka më as fuqi dhe as mundësi të jetë konkurrent për pushtet në Shqipëri. Ai është vetëm konkurrent për pushtet në PD. Për këtë arsye gjuha e tij përçarëse duhet injoruar dhe Partia Demokratike duhet t’u bëjë oferta personale kandidatëve të primareve që mendojnë se vlejnë dhe nuk janë nën influencën e Berishës, që të kandidojnë me ta.

Po ashtu nuk do të ishte keq që PD të shikonte mundësinë e një koalicioni të gjerë me çdo parti të vogël opozitare, e cila do të ishte një shenjë e bashkimit të opozitës, përkundër luftës përçarëse të Berishës. Berisha nuk është opsion për të ardhur në pushtet. Ai është opsion lufte kundër SHBA, kundër Lulim Bashës, kundër PD, dhe po i doli kohë dhe kundër Edi Ramës. Partia Demokratike por dhe vet mbështetësit e tij në Foltore, kanë dalë në rrugë për të ardhur në pushtet, jo për të shkuar pas Sali Berishës.

Sali Berisha e ka të gjatë listën e halleve që duhet të zgjidhë personalisht. Duke qenë person “non grata” i dy prej vendeve më të mëdha të Perëndimit, SHBA dhe Britanisë së Madhe, duke pasur nëpër këmbë faktet e reja që po i dalin nga audio përgjimet për urdhra vrasjesh më 21 janar, duke pasur nëpër këmb gjyqin e djalit për Gërdecin, dhe natyrisht duke pritur një izolim të ri nga Bashkimi Evropian, ai është i frikësuar se mos opozita bashkohet dhe vendos të ecë përpara pa atë. Frika e tij e vetme dhe makthi i tij më i madh është bashkimi i opozitës pas këtyre zhvillimeve, ndaj tani e tutje të gjitha energjitë e tij janë se si të mbajë opozitën të përçarë. Ndaj opozita shqiptare nuk duhet të lidhë fatin e vet me hallet e një njeriu, që i ka marrë çfarë ka dashur këtij vendi, dhe tani kërkon t’i marrë dhe shpirtin PD, që të mos ta gëzojë askush tjetër pas tij.