Nga Mero Baze/

Të dy emrat e përzgjedhur për garën e Tiranës nga Partia Demokratike Roland Bejko dhe Jonila Godole kanë të përbashkët faktin që janë rreshtuar qartazi kundër Sali Berishës pa pritur vendimin e Bashës për ta përjashtuar më 9 Shtator 2021.

Godole e cila vjen nga shoqëria civile por me një angazhim për gati një dekadë në një OJQ afër me PD për zbulimin e krimeve të komunizmit, natyrisht ka më pak emocione për Berishë se nuk e ka pas kurrë kryetar.

Kurse Roland Bejko e ka më të plotë dhe më të qartë historinë si një nga personazhet që ka bashkëjetuar me PD që ditën e parë të themelimit të saj e deri më sot, pa qenë kurrë berishistë.

Ai hynë tek ato figura të Partisë Demokratike që e ka të plotë kontributin e tij që nga themelimi i saj, më pas në një periudhë të gjatë si kryetar i PD në Gjirokastër, Prefekt në Berat pedagogë në Tiranë pas studimeve në Francë dhe më tej sërish një protagonist i fort politik në PD, sidomos në përballjen fizike të 8 janarit mes banditëve të Berishës.

Ai hyn tek ata njerëz që sic thuhet andej nga Jugu, “Berisha nuk ja ka shkel dot hijen”. Ai thjesht nuk është i kompleksuar prej tij. E ka njohur dhe kur ka pasur shumë pushtet dhe kur i është lutur ta pres në Gjirokastër, kur nuk dilte dot nga Tirana dhe kur e ka pasur në Kryesi të PD dhe kur e ka nxjerr nga lista më 2013 dhe nuk e ka mundur dot as në bastionin e demokratëve në Lazarat. Dhe atje mes kandidatit të Berishës dhe Bejkos Lazarati zgjodhi Bejkon.

Ky formim i tij politik, jashtë “hijes së Berishës” e bën atë një zë prestigjioz për të artikuluar atë që në të vërtet është qëllimi i kësaj beteje elektorale të PD ndarja me berishizmin. Dhe po të kemi parasysh se fushata e Tiranës rrezaton mesazhet e saj në gjithë Shqipërinë, ai është zëri i duhur për tu dëgjuar . Dhe natyrisht për tu votuar.

Sulmet raciste kundër tij nga pala e Berishës, duke e “akuzuar” për origjinën nga Jugu, mund ti ketë në favor. Tirana i ka pranuar Berishës dhe kandidat nga Tropoja dhe nuk është kompleksuar. Tirana është qytet kozmopolit, ku të gjithë kanë të drejt të kandidojnë qoshin nga Jugu apo Veriu, qofshin me ngjyrë apo të bardhë. Kjo është diferenca e kryeqytetit me provincat, ku kërkojnë “vendali”.

Nuk u premton dot transport publik falas demokratëve nëse fiton, por një taksi falas për Berishën për të shkuar në shtëpi dhe mund ta paguaj.