Në 8 mars në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit do të mbahet seanca paraprake për ish ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediun sa i takon dosjes së ‘Gërdecit’.

Gjyqtarja Irena Gjoka do të vendosë nëse do të kalojë çështjen për gjykim.

Në 17 shkurt, gjyqtari Erjon Çela u tërhoq nga dosja ‘Gërdeci’ sepse më herët ishte shprehur për këtë dosje duke vendosur që të mos rihapte hetimet. Kujtojmë se në vitin 2021, Çela tha se akuzat për shpërdorim detyre ndaj ish ministrit, ishin parashkruar pasi prej vitit 2012 nuk ka pasur imunitet që do të pengonte hetimet ndaj tij.

Por vendimi i tij u rrëzua nga Gjykata e Lartë që listoi disa argumente ligjore se pse vepra penale e shpërdorimit të detyrës, në rastin e Fatmir Mediut, edhe pse kishin kaluar 15 vite, nuk është parashkruar.

Si ndodhi tragjedia e Gërdecit?

Ishte data 15 mars (e shtunë), 2008 rreth orës 12:05, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një “fabrikë” për demontimin e armëve humbën jetën të paktën 26 persona, punëtorë të kësaj fabrike “vdekjeje” e fëmijë të zonës. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa që shkatërroi 3000 banesa e biznese. Një “betejë” e gjatë dhe e ashpër po zhvillohet mes familjeve të viktimave, qeverisë dhe drejtësisë, me bazë akuzat e ndërsjellta mes palëve.