Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri bashkë me kryebashkiakun Gledian Llatja zhvilluan një bashkëbisedim me mësues të shkollave “Kostandin Kristoforidhi” dhe Liceut Artistik “Onufri”.
Në fjalën, Gjiknuri që është dhe drejtues politik i qarkut shprehu mirënjohjen mësuesve për sakrificat e tyre në përmbushjen e misionit. Ai theksoi se Elbasani është djepi i arsimit.
“Është gjithmonë privilegj që të urosh gëzuar 7-Marsin nga Elbasani. Elbasani, dihet, si djepi i arsimit dhe vërtet është kënaqësi për mua që ndodhem këtu. Arsimi është gjithçka.
Është punë ezauruese, është punë e lodhshme po është puna më fisnike. Është investimi më i madh që ne i japim brezave nëpërmjet transmetimit të dijes. Prandaj gjithmonë duhet të jemi krenarë për këtë gjë dhe shoqëria duhet të jetë shumë borxhlije”, tha Gjiknuri.
Numri dy i socialistëve siguroi mësuesit për mbështetjen e qeverisë shqiptare për vijuar investimet në arsim. “Çfarë mbjellim sot do ta korrim nesër dhe kjo është shumë e vërtetë. Le të mendojmë për të mirën e përbashkët si qytetarë.
Të bëjmë më të mirën për Elbasanin. Nga kjo pikëpamje ne do punojmë të gjithë bashkë për ta bërë këtë të mundur. Qeveria shqiptare një gjë e garanton do vazhdojë të mbështesë Elbasanin me të gjitha investimet e nevojshme, patjetër pa harruar arsimin dhe sportin. Kemi dy elbasanllinj të mirë, kemi dhe Evisin kemi dhe Gledin që punojnë shumë ngushtë me njëri-tjetrin për ta bërë këtë të mundur përditë. Faleminderit për punën që bëni përditë dhe ju jemi borxhlinj për çdo ditë të shpenzuar në punët tuaja me brezat e ardhshëm”, tha Gjiknuri.