Së shpejti në Elbasan do të ndërtohet Muzeu i Arsimit. Këtë 7 mars, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së Damian Gjiknuri, bashkë me Kryetarin e Bashkisë Gledian Llatja dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, u takuan me mësues dhe pedagogë të njohur të Elbasanit të cilët janë në pension.

“Bashkë me Ministren e Arsimit Evisi Kushi, bashkë me njerëz të mirë të qytetit tonë që kanë një vizion, duam të bëjmë një Muze të Arsimit. Godinën e kemi, ish-Drejtoria Arsimore, e kemi miratuar edhe buxhetin ne si Bashki, që ta rikonstruktojmë dhe më pas të realizojmë projektin tonë sipas modelit më mirë të muzeve, atë të arsimit dhe më pas edhe muzeun e Telekomunikacionit, pasi Ministri i Parë i Post Telegraf ka qenë patrioti i shquar elbasanas Lef Nosi. Qyteti e do muzeun e arsimit. Na duhet ndihma juaj për të konceptuar një model të mirë që të jetë jo vetëm bashkëkohor, por të krijojë edhe breza të rinj, për të parë vlerën e Elbasanit dhe kulturën që kemi transmetuar jo vetëm në qytet, por edhe në të gjithë trevat shqiptare”, nënvizoi kryebashkiaku Llatja.

Në këtë ceremoni, 15 mësues në Elbasan u vlerësuan me certifikatën “Mirënjohja e Qytetit” me motivacionin “Për kontributin e çmuar gjatë të gjithë jetës profesionale si mësues në arsimin e brezave dhe edukimin e tyre si qytetar të denjë të këtij vendi”.

Kryebashkiaku Gledian Llatja, vlerësoi kontributin e mësuesve dhe pedagogëve në edukimin dhe formimin e brezit të ri. “Elbasani ka shumë me çfarë të krenohet, ka shumë mësues, ka shumë histori, ka shumë kulturë, breza që ju kujtojnë me nostalgji shumë të madhe. Ndaj një mirënjohje të madhe për ju. Shumë faleminderit për punën e gjatë dhe kolosale që keni bërë, për të rritur një brez të shëndetshëm”, përfundoi Llatja.
Janë vlerësuar me titullin “Mirënjohja e Qytetit” mësuesit dhe pedagogët, Vilma Tafani, Bardha Gjini, Joana Myftiu, Mirjam Myftiu, Roland Gjini, Xhuljeta Daja, Tomorr Arjaniti, Elida Cabej, Petrit Peni, Liliana Nosi, Drita Isaj, Rukije Kila, Mehmet Shipka, Kaliro Guxho, dhe Lumturi Hasani.