Nga Teqeja e Madhe në Elbasan, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri bashkë me kryebashkiakun Gledian Llatja dhe Ministrjen e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi uroi sot besimtarët bektashinj për festën e Sulltan Nevruzit.

“Në ditën e Sulltan Novruzit, një festë tashmë kombëtare, për të gjithë besimtarët bektashinj, patëm rastin me të gjithë ekipin politik të Partisë Socialiste për vizitë te Babai i Teqesë në një godinë të re të mrekullueshme. Përkon me një ditë që besimtarët e kanë të shenjtë që përkon me periudhën e pranverës. I uroj të gjithë besimtarëve bektashinj që të kenë të gjitha të mirat, zoti i bekoftë dhe paçin vetëm të mira Elbasani dhe gjithë shqiptarët kudo që janë. Si Parti Socialiste, si ekip, me të gjithë shokët dhe shoqet u uroj një ditë sa më të mirë”, tha drejtuesi politik i qarkut.

Numri dy i socialistëve nënvizoi se Elbasani do të ‘rilindë’ më 14 maj dhe shprehu bindjen se qytetarët do t’i japim sërish mbështetje Partisë Socialiste. Ai theksoi se PS bashkë me kryebashkiakun Gledian Llatja dhe gjithë ekipin do të çojë përpara ambiciet e qytetarëve të Elbasanit. “Kjo pranverë që sapo ka hyrë përkon dhe me ngjarje që të gjithë shqiptarët i presin. Këtu në Elbasan, dhe gjithë Shqipërinë, gjatë kësaj pranvere do kemi zgjedhje vendore dhe besoj se Elbasani edhe njëherë do të ‘rilindë’, Elbasani dhe njëherë do të japë mbështetjen për Partinë Socialiste. Me punët e mira po e ndryshojmë Elbasanin, po e zbukurojmë. Kemi shumë gjëra për të bërë. Së bashku me Gledin dhe gjithë këtë ekip do çojmë përpara ambiciet e qytetarëve të Elbasanit. Vërtet është një ditë e shënuar dhe ne nuk duam të përziejmë gjërat politike me ditët e shënuara fetare ,por në fund të fundit për Elbasanin është pranverë dhe kështu do jetë pranverë dita e 14 majit. Suksese të gjithë ekipit dhe Gledit për këtë ndërmarrje të vështirë, por të sukseshme që ai do ta ketë përballë qytetarëve”, deklaroi Gjiknuri.